Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se janë publikuar rezultatet e para nga Hulumtimi Ndërkombëtar për Mësimdhënie dhe Mësimnxënie – TALIS 2024, nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Në njoftimin e MASHT-it thuhet se është viti i parë që Kosova merr pjesë në këtë studim.
“Ky është viti i parë që Kosova merr pjesë në këtë studim ndërkombëtar, që përfshiu 55 sisteme arsimore nga e gjithë bota dhe që synon të mbledhë të dhëna mbi mësimdhënien, mësimnxënien dhe kushtet e punës së mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave. Në Kosovë, në këtë cikël morën pjesë 3,281 mësimdhënës dhe 222 drejtorë nga shkollat e mesme të ulëta, ndërsa anketa në terren është zhvilluar gjatë periudhës 15 mars – 22 prill 2024, përmes platformës online”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur për gjetjet kryesore për Kosovën.
“TALIS është hulumtimi më i madh ndërkombëtar që fokusohet në përvojat dhe perceptimet e mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave, duke ofruar të dhëna të krahasueshme për mjediset e mësimdhënies dhe zhvillimin profesional në arsim.
Gjetjet kryesore për Kosovën:
Mosha mesatare e mësimdhënësve në Kosovë është 44 vjeç, pothuajse e njëjtë me mesataren e OECD-së (45). Rreth 60% janë femra, ndërsa 9% janë nën 30 vjeç.
97% e mësimdhënësve kanë marrë pjesë në ndonjë formë të trajnimit profesional gjatë 12 muajve të fundit, një përqindje më e lartë se mesatarja e OECD-së (91%). Megjithatë, vetëm 28% kanë ndjekur trajnime që përfshijnë përdorimin e teknologjisë digjitale në mësimdhënie.
97% e mësimdhënësve në Kosovë thonë se u mësojnë nxënësve si të përdorin informacionin e fituar dhe 90% për zgjidhjen e problemeve reale – shifra më të larta se mesatarja e OECD-së.
82% e mësimdhënësve shkëmbejnë rregullisht materiale mësimore me kolegët, ndërsa 64% diskutojnë mbi performancën e nxënësve, tregues i një klime bashkëpunuese pozitive.
96% e drejtorëve marrin pjesë drejtpërdrejt në proceset e menaxhimit të mësimdhënies, shumë më tepër se mesatarja e OECD-së (76%), megjithatë vetëm 48% përfshihen në planifikimin strategjik afatgjatë.
85% e mësimdhënësve ndihen të përmbushur në punën e tyre dhe 77% mendojnë se profesioni i mësimdhënësit vlerësohet nga shoqëria, përqindje më e lartë se mesatarja e OECD-së (67%).
Rezultatet e TALIS 2024 ofrojnë një pasqyrë të vlefshme për përmirësimin e politikave të zhvillimit profesional, përfshirjes digjitale, forcimit të rolit të drejtorëve, si dhe rritjes së statusit të profesionit të mësimdhënësit në shoqëri”, thuhet në njoftim.