Organizata ETEA në bashkëpunim me organizatën e komunitetit lokal serb, CSAY, kanë realizuar raportin hulumtues “Fuqia e narrativave: Historia nga librat apo historia e rrëfyer – Roli i edukimit në formësimin e përceptimit për tjetrin”.
Ky raport është rezultat i hulumtimit për të kuptuar ndikimin e thellë të arsimit, duke përfshirë librat shkollorë, praktikat klasore dhe rolin e mësimdhënësve në formimin e kujtesës kolektive dhe marrëdhënieve ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës.
Autore dhe hulumtuese kryesore e raporti ishte Bleona Kurteshi, ndërsa hulumtues mbështetës ishte Aleksandar Nedeljković.
Disa prej gjetjeve kryesore të këtij raporti ishin:
· Tekstet shkollore me të cilat furnizohen nxënësit e komunitetit serb në Kosovë i referohen Kosovës me emërtimin “Kosova dhe Metohija”.
· Librat e gjeografisë të përdorur në shkollat e komunave me shumicë serbe në Kosovë paraqesin territorin e Kosovës si pjesë të pandarë të Serbisë permës hartave dhe tekstualisht duke potencuar, si vijon: “Regjioni i Kosovës dhe Metohijes mbulon 12.3% të territorit total të Republikës se Serbisë. “
· Sipas Ligjit për Arsimin në Komunat e Kosovës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) obligohet të bëjë shqyrtimin paraprak dhe aprovimin e teksteve shkollore që vijnë nga Beogradi për nxënësit e komunitetit serb në Kosovë.
· Raporti gjen se institucionet e Kosovës nuk mbikëqyrin përmbajtjen e teksteve shkollore që vijnë nga Beogradi. Drejtori i Arsimit në Komunën e Ranillugës konstaton se nuk ka asnjë bashkëpunim dhe/apo komunikim me institucionet qëndrore të Kosovës.
· Përceptimi i komuniteteve ndaj ‘tjetrit’ është i ndikuar nga ngjarjet politike dhe ngjarjet e përditshme. Mediat, në veçanti, luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e imazhit që secili komunitet ka për tjetrin.
· Informatat e të rinjëve për ngjarjet historike, veçanërisht luftën Kosovë-Serbi, bartin një varësi të madhe nga tregimet familjare, më shumë se nga edukimi formal përmes librave dhe teksteve shkollore.
· Ka një kuptim të kufizuar midis të rinjëve për viktimat dhe ngjarjet që ndodhën gjatë luftës Kosovë-Serbi. Ekziston bindja se vetëm komuniteti përkatës e ka përjetuar më së shumti ndikimin e luftës dhe viktimizimin.
· Nxënësit nga të dy komunitetet tregojnë ngurrim për të mësuar për ‘tjetrin’. Në Komunën e Ranillugës, diskutimet lidhur me etnicitetin shmangen, ndërsa nxënësit shqiptarë rezistojnë për tu angazhuar në temat që ndërlidhen me Serbinë. Kjo paraqet një pengesë për nxitjen e mirëkuptimit dhe tolerancës reciproke në mes të rinjëve.
Po ashtu ne bazë të gjetjeve u dhanë rekomandime si:
1. RISHIKIMI DHE PËRMIRËSIMI I LIBRAVE TË MËSIMIT PËR ELIMINIMIN E PARAGJYKIMEVE ETNIKE
Nisma për krijimin e një shkrimi bashkëpunues duke përfshirë autorë nga të gjitha grupet, po ashtu edhe komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë. Ky qasje siguron një përfaqësim më të pasur dhe të nuancuar të historisë dhe kulturës, duke shmangur paragjykimet etnike.
2. KRIJIMI I FORUMEVE TË DIALOGUT NDËRKOMUNITAR PËR RININË
Krijimi i forumeve për anëtarët e komunitetit për të angazhuar në dialog të hapur për ngjarje historike. Këto forume mund të shërbejnë si hapësira të sigurta për diskutim, duke mundësuar individëve të ndajnë përvoja dhe perspektiva personale.
3. ZHVILLIMI I FUSHATAVE EDUKATIVE
Lansimi i fushatave edukative për të ngritur ndërgjegjësim për rëndësinë e trajtimit të përbashkët të së kaluarës. Këto fushata mund të theksojnë avantazhet e kuptimit të narrativave të ndryshme historike për ndërtimin e një shoqërie më të sigurtë.
4. DIALOGU MES GJENERATAVE
Organizimi i bisedave ndërgjenerata, duke sjellë së bashku anëtarë të moshës më madhore dhe të rinjëve për të ndarë dhe mësuar nga perspektivat e njëri-tjetrit. Kjo promovon një kuptim më të thellë të ngjarjeve historike nëpër breza të ndryshëm.
5. INTEGRIMI I EDUKIMIT PËR DREJTËSI TRANZICIONALE NË PROGRAMET SHKOLLORE
Integrimi i edukimit për Drejtësi Tranzicionale në programet shkollore promovon një kuptim më të thellë të konflikteve historike dhe nxit një përkushtim ndaj drejtësisë, pajtimit dhe të drejtave të njeriut.
6. DIZAJNIMI DHE OFRIMI I TRAJNIMEVE PËR MËSIMDHËNËS MBI DIALOGUN DHE TOLERANCËN NDËRETNIKE
Krijimi dhe ofrimi i sesioneve të trajnimit për mësimdhënësit mbi dialogun dhe tolerancën ndëretnike përmirëson aftësitë e tyre në promovimin e kuptimit dhe nxitjen e një kulture respekti mes grupeve të ndryshme etnike.
7. MBËSHTETJE PËR EDUKIMIN QYTETAR
Njohja dhe mbështetja e nismave të drejtuara nga nxënësit që promovojnë përfshirjen dhe dialogun qytetar. Organizatat dhe projektet studentore që kontribuojnë aktivisht në ndërtimin e një shoqërie tolerante duhet të marrin njohje dhe mbështetje të veçantë.