Publikimi u përcoll me një diskutim në platformën virtuale ZOOM, ku panelistë ishin: Pandeli Majko, Ministër i Shtetit për Diasporën, Republika e Shqipërisë; Bekim Brestovci, Zv. Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Republika e Kosovës; Suela Kalia dhe Xhelal Derguti nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ) – Kosovë; Ilir Gedeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale (CESS); dhe Rozeta Kokalari, Profesioniste nga Diaspora, Menaxhere Seniore, KPMG – Gjermani.
Rezultatet kryesore dhe rekomandimet nga hulumtimi i gjeni të përmbledhura si më poshtë, ndërsa raportin e plotë e gjeni në këtë vegëz (në gjuhën shqipe dhe angleze). Poashtu, gjeni të bashkangjitur fotot nga paneli virtual dhe posterin e ngjarjes.
Hulumtimi u realizua përmes një ankete me 921 profesionistë të diasporës, të cilëve u referohemi ‘si njerëz të kualifikuar dhe të aftë me prejardhje migracioni, të cilët dëshirojnë të mbështesin vendin e tyre të origjinës duke e vënë në përdorim ekspertizën e tyre’, siç përcaktohet nga Qendra për Migrim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (CIM).
TË GJETURAT KRYESORE
REKOMANDIMET
Institucionet shtetërore duhet të përdorin mekanizma të shumtë për mbledhjen e informacionit dhe të dhënave për të krijuar një profil të diasporës, i cili shpjegon karakteristikat kryesore të diasporës, ekspertizën e tyre, si dhe nevojat e anëtarëve dhe organizatave të diasporës. Ambasadat dhe Konsullatat e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të jenë më aktive në marrjen e informacionit të azhurnuar në lidhje me qytetarët që jetojnë jashtë. Ky studim riafirmon që diaspora shqiptare është shumë e larmishme për sa i përket sfondit profesional, por gjithashtu rikonfirmon lidhjen e fortë dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në vendet e origjinës – vendet amë. Sidoqoftë, treguesit e këtij studimi rrjedhin nga një mostër e vogël, dhe është shumë e nevojshme që diaspora profesionale të njihet më shumë dhe në më shumë nuanca. Pa pasur njohuri të duhur për profilet e diasporës, është shumë e vështirë për vendet e origjinës të hartojnë politika adekuate për angazhimin e saj dhe ndikimin pozitiv në proporcion me potencialin që ata kanë.
Fuqizimi i grupeve dhe organizatave të diasporës është një faktor shumë i rëndësishëm që ndikon në përkushtimin e diasporës për një angazhim më intenziv dhe të strukturuar në vendet e origjinës. Organizatat me bazë dhe/ose të orientuara në diasporë lehtësojnë integrimin dhe ofrojnë mbështetje për migrantët në vendet rezidente por edhe ato të origjinës. Kjo i bën ata aktorë të rëndësishëm, gjë që duhet të njihet dhe vlerësohet. Prandaj, ne e konsiderojmë fuqizimin e grupeve dhe organizatave të diasporës si një proces të domosdoshëm për përfshirjen e tyre në zhvillimin e vendeve të origjinës. Fuqizimi nënkupton forma të ndryshme të mbështetjes, duke filluar nga mbështetja institucionale e deri tek mbështetja financiare që u ofrohet organizatave të diasporës për të rritur kapacitetet e tyre. Kjo e fundit, për shembull, mund të sigurohet përmes një skeme të financimit institucional, e siguruar nga vetë qeveria ose aktorë të tjerë, të tillë si organizata ndërkombëtare ose agjensi zhvillimi.
Ekziston një nevojë urgjente që qeveria të bashkëpunojë me sektorë të ndryshëm (publik dhe privat) në mënyrë që të hartojë një platformë shumë-funksionale që synon të rimendojë angazhimin e komuniteteve tona jashtë vendit dhe të ndryshojë mënyrën tradicionale se si ne e kemi parë diasporën tonë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse nëse analizojmë vendet që kanë përvojë dhe strategji të suksesshme në angazhimin e diasporës (Irlanda, Izraeli, India), shohim se rezultati vjen nga njohja, krijimi i rrjeteve, partneriteti dhe qasja e koordinuar e shumë palëve të përfshira në këtë proces. Për më tepër, duke kuptuar potencialin e këtij burimi njerëzor të pashfrytëzuar, ne duhet ta shohim diasporën si një pikë hyrëse, lehtësuese dhe aset diplomatik, e cila duke u takuar në një platëformë të shumë-funksionale do të hapte mundësi të reja.
Për shkak të mungesës së njohurive në sektorët kryesorë, institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë kanë nevojë të madhe për ekspertizë dhe mentorim. Të dyja lehtë mund të fitohen nga profesionistë të diasporës nëse krijohet hapësira e nevojshme. Shumica e të anketuarve dhe të intervistuarve të këtij studimi besojnë se aftësitë dhe njohuritë e tyre të fituara jashtë vendit do të ishin shumë të dobishme për zhvillimin e vendeve të origjinës, dhe ata janë të gatshëm të kontribuojnë në transferimin e njohurive të tyre. Më pak se një e katërta e tyre kanë pasur mundësinë të jenë të angazhuar profesionalisht në këto vende, ndërsa gjysma e çerekut janë ftuar. Mungesa e programeve të shkëmbimit, si dhe një kulturë e mbyllur dhe nepotiste e administratës publike të shteteve përkatëse janë ndër arsyet që nuk kanë lejuar hapësirë për ekspertizën e diasporës. Kjo është arsyeja pse një shumicë e lartë (74%) e të anketuarve nga kjo anketë mendojnë se nisma e Germinit (e mbështetur nga GIZ), vjen në kohën e duhur duke marrë parasysh që diaspora ka shumë potencial për të ndikuar pozitivisht në vendet e origjinës. Vetëm disa besojnë se iniciativa është shumë e dobishme, por deri diku e vonuar sepse diaspora është deri diku e dekurajuar dhe i mungon interesi për të kontribuar. Për të shmangur këto të fundit, institucionet shtetërore në Kosovë dhe Shqipëri duhet të ofrojnë më shumë hapësirë për angazhimin e profesionistëve të diasporës, veçanërisht në sektorët që kanë mungesa përsa i përket aftësive dhe njohurive teknike të avancuara.
Angazhimi i diasporës është një proces i ndërlikuar që përfshin shumë tema dhe sektorë (ekonomikë, politikë, kulturorë dhe social). Ky proces përfshin një varg organesh dhe nivelesh institucionale kombëtare dhe lokale. Në këtë drejtim, identifikimi i palëve të interesuara të duhura dhe koordinimi midis niveleve të ndryshme të qeverisjes dhe institucioneve është thelbësor. Për më tepër, duke pasur parasysh që orientimi i diasporës shqiptare drejt atdheut është i drejtuar në më shumë sesa një vend/shtet, angazhimi i saj është çështje e të paktën dy shteteve, prandaj koordinimi edhe i institucioneve ndër-shtetërore është shumë i nevojshëm, siç është bashkëpunimi përmes një qasje gjithëpërfshirëse në zhvillimin e politikave, të qëndrueshme dhe të orientuar nga e ardhmja.