Zyra e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullatën (UNFPA) në Prishtinë ka lansuar raportin “Gjendja e Popullsisë Botërore 2018” i titulluar “Të Drejtat Riprodhuese dhe Tranzicioni Demografik”.
Doina Bologa, drejtoreshë e UNFPA-së në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni, tha se të gjithë njerëzit kanë të drejtë të zgjedhin se sa fëmijë dhe kur duan t’i kenë, derisa foli edhe për trendet e fertilitetit në botë, raporton Ekonomia Online.
“Ky raport ka të bëjë me fuqinë e zgjedhjes. Është shumë aktuale dhe në kohë të duhur, sepse trendet janë në nivelin global. Ky raport flet për trendin e fertilitetit global. Ky raport flet se zgjedhja mund ta ndryshojë botën, zgjedhja ka të bëjë me vendimet se ku, kur dhe sa shpesh duhet të kenë fëmijë. Zgjedhja është e drejtë themelore e njerëzve. Është e drejtë e lirë e prindërve të vendosin se sa fëmijë duan t’i kenë. Ende në shtetet e zhvilluara mbi 600 milionë gra kanë vendosur të përdorin kontraceptivë modernë”.
“Një numër i madh i grave, përfshirë edhe Kosovën, kanë rrezik të kenë shtatzëni të padëshiruar për shkak të mungesës së qasjes. Ky raport që ka të bëjë me gjendjen e popullatës botërore tregon se para disa gjeneratave ka pasur fertilitet të lartë në tërë botën. Lansimi i këtij raporti është dedikim i madh nga UNFPA në Kosovë që të mbështetë të drejtat riprodhuese në Kosovë”, tha ajo.
Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, tha se duhet të punohet në mënyrë që në Kosovë të ketë 0 vdekje të grave gjatë lindjes, raporton EO.
“Të drejtat e zgjedhjes për procesin riprodhues nuk ka të bëjë me numra, por me dëshirën dhe të drejtën se sa fëmijë dëshiron m’i pasë. Dikush mendon që duket e thjeshtë përzgjedhja se sa fëmijë dëshiron me i pasë, mirëpo kjo nuk është e lehtë për disa vende, sepse të njëjtat udhëhiqen nga sisteme patriarkale. Raporti flet për disa shembuj të mirë, sepse në disa vende ka shumë gra që vdesin gjatë procesit të lindjes, shumë vajza që lindin ende pa e mbërri moshën 15-vjeçare. Shumë shpesh vajzat që vijnë nga grupet e cenueshme nuk e mbërrijnë me përfundu as shkollën. Unë e di që UNFPA është agjension që e merr për zemër të drejtën e grave dhe shëndetësisë. Kosova duhet të bëhet pjesë e përpjekjeve globale që të kemi zero vdekje të grave gjatë lindjes dhe zero ndikime se sa fëmijë t’i kenë”, tha ajo.
Zarife Miftari, prezantuese e projektit “Gjendja e popullsisë botërore 2018”, tha se zgjedhja e grave se sa fëmijë duan të kenë është e mangët në tërë botën, raporton EO.
“Tranzicioni në fertilitetin global ka filluar të ndryshojë ndër vite. Në Evropë janë dashur 200 vite që të ndalë trendin e lindjeve të shpeshta. Nga 43 shtete në botë që janë me fertilitet të lartë, 37 nga to përpiqen ta zvogëlojnë fertilitetin”.
“Lidhur me situatën në Kosovë del se shkalla e fertilitetit është 2.3. Shkalla e përdorimit të kontraceptivëve është 65.8, kurse shkalla e përdorimit të kontracepsionit në metoda moderne është vetëm 13.7”.
Përmes kësaj tryeze, UNFPA dëshiron të avokojë më tutje që liria e zgjedhjes të bëhet realitet, duke i dhënë përparësi qasjes universale në kujdes cilësor të shëndetit riprodhues, duke përfshirë kontraceptivët modernë; edukimin seksual të përshtatshëm për moshën; avokimin për ndryshim në qëndrimet e burrave për t’i mbështetur të drejtat dhe aspiratat e grave dhe vajzave; dhe mundësinë që çiftet të vendosin nëse, kur dhe sa fëmijë, dëshirojnë t’i kenë, duke mundësuar kështu një ekuilibër më të madh në punë dhe në jetë.