Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një konferencë për media në Prizren ka bërë publike rezultatet e “Transparometrit komunal”, edhe për gjashtë komuna të tjera më të mëdha të Kosovës, atë të Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Suharekës, Rahovecit dhe Deçanit.
Matja e transparencës është bërë bazuar në 59 indikatorë për periudhën janar – dhjetor 2018, dhe rezultatet e hulumtimit rendisin këto komuna si në vijim: Gjakova 99 pikë apo 83.89%, Rahoveci 94 pikë apo 79.66% , Peja 78 pikë apo 66.10%, Prizreni 76 pikë apo 64.40%, Suhareka 74 pikë apo 62.71% edhe Deçani 67 pikë apo 56.77%.
Naim Cahanaj nga KDI ka thënë se transparometri ndjek një metodologji të matjes së indikatorëve në mënyrë objektive përgjatë katër shtyllave themelore të qeverisjes lokale. “Për shtyllën: Zyra e Kryetarit/es (15 indikatorë), për Kuvendin e Komunës (20 indikatorë), për Financat Komunale (8 indikatorë) dhe transparencën në Konsultime me Publikun (16 indikatorë)”. Rezultati maksimal që një komunë mund të arrijë është 118 pikë ku secili indikatorë poentohet 0 deri në 2 pikë dhe i bie që me zero pikë të vlerësohet kur s’ka asnjë informacion, me një pikë informacionet e pjesshme dhe me dy pikë informacioni i plotë”, ka theksuar ai.
Kurse Almedin Fejza nga KDI, ka thënë se në shtyllën e “Kuvendit të Komunës”, nga 40 pikët e mundshme të vlerësimit, komuna e Gjakovës dhe ajo e Rahovecit janë ranguar më së larti me nga 36 pikë, pastaj ajo e Deçanit, Suharekës dhe Pejës me nga 31 pikë dhe komuna e Prizrenit në këtë shtyllë është treguar me pak transparente me vetëm 29 pikë. Në shtyllën e “Zyrës së Kryetarit / es” nga 30 pikë sa është maksimalja e vlerësimit, si më transparente del të jetë komuna e Gjakovës me 25 pikë, ku radhitet komuna e Rahovecit me 22 pikë, Suharekës me 18 pikë, Pejës dhe Prizrenit me nga 15 pikë, dhe më pak transparente ishte komuna e Deçanit me vetëm 12 pikë nga 30 pikë sa është maksimalja e vlerësimit në këtë shtyllë.
Duke vazhduar me publikimin e të thënave për dy shtyllat tjera të vlerësimit, ai tha se “ komuna e Gjakovës dhe Prizrenit në shtyllën e “Financave komunale”janë treguar më transparente gjatë kësaj periudhe, me vlerësim prej 13 pikë nga 16 pikë sa është maksimalja në këtë shtyllë të vlerësimit. Pas radhitet komuna e Rahovecit me 12 pikë, komuna e Pejës me 9 pikë, komuna e Suharekës me 7 pikë si dhe në fund komuna e Deçanit me vetëm 6 pikë. Në shtyllën e “Konsultimet me Publikun”, nga 32 pikë sa është maksimalja e vlerësimit, si më transparente del të jetë komuna Gjakovës me 25 pikë, komuna e Rahovecit me 24 pikë, komuna e Pejës me 23 pikë, komuna e Prizrenit me 19 pikë, komuna e Suharekës dhe Deçanit me nga 18 pikë” – përfundoj Fejza.
Më 13 shkurt të këtij viti KDI pati publikuar “Transparometrin” edhe për 11 komuna të tjera më të vogla.
“Transparometri komunal” për gjashtë komuna u realizua në kuadër të projektit “Pjesëmarrja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie” i cili mbështet nga Olof Palme International Center (OPIC), që ka për synim monitorimin dhe vlerësimin e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet vetëqeverisëse lokale.