Një rast i cenimit të fshehtësisë së votimit ka ndodhur në Komunën e Pejës, për çka personi është ndaluar për 48 orë. Kështu ka bërë të ditur prokurorja Lura Pula, në një lidhje direkte gjatë transmetimit special në Televizionin Dukagjini.
Pula ka thënë se deri më tani bëhet fjalë për dy vepra penale, me tre persona të ndaluar.
“Deri më tani, fatmirësisht, nuk kemi pasur ndonjë incident të madh që do të evidentohej si rast i rëndë gjatë ditës së zgjedhjeve. Është rasti në Fushë-Kosovë, tashmë i njohur, ku dy persona janë të ndaluar për veprën penale të dhënies dhe marrjes së ryshfetit, vepër penale e cila dënohet prej një deri në pesë vjet burgim. Personat janë të ndaluar dhe hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë, derisa të shihet epilogu i rastit. Kemi edhe një rast në Komunën e Pejës, për veprën penale ‘cenim i fshehtësisë së votimit’. Personi është ndaluar për 48 orë dhe janë duke u verifikuar të gjitha rrethanat e rastit. Pra, deri më tani kemi dy raste penale me tre persona të ndaluar”, tregoi Pula.