Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës janë të pakënaqur me koeficientin e pagave të tyre, njofton Klan Kosova.
Ata kërkojnë nga Qeveria e Kosovës, komisionet parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që të ndërmerren masa të menjëhershme për rritjen e koeficientit të pagesës në Draft Ligjin e pagave për punëtorët e Doganës, ashtu siç parashihen edhe për pozitat tjera në shërbimin publik të institucioneve, me natyrë të ngjashme të punës.
“Përmes kësaj komunikate shprehim shqetësimet që ka shkaktuar tek sindikalistët e Doganës, Draft Ligji i pagave, i cili sipas parashikimeve aktuale të koeficienteve të pagesës të paraparë në Shtojcën Nr.1 të tij si dhe me dispozitat tjera nuk po i eliminon praktikat divergjente dhe nuk po shihet që do të sigurojë një rregullim homogjen të çështjes së pagave në tërë sektorin publik”, shkruan SPDK.
SPDL thotë se një kërkesë e tillë duhet të merret parasysh pasi sipas tyre dogana ka kontribut jetik për vendin.
“SPDK bënë thirrje që sa më shpejtë çështja e adresuar të zgjidhet në të kundërtën do detyrohemi që të ndërmarrim veprime tjera sindikale për realizmin e kërkesave të punëtoreve duke u mbështetur në të drejtat që i jep Ligji mbi Organizmin Sindikal”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga SPDK.