Punëtorët e kompanisë “NewCo Ferronikeli” kanë protestuar këtë të mërkurë para Qeverisë së Kosovës pasi për 5 muaj është ndërprerë prodhimi, si pasojë e krizës së zgjatur ekonomike, raporton Ekonomia Online.
Punëtorët po kërkojnë që të kthehen në punë, e në rast se nuk do të merren parasysh kërkesat e tyre, atëherë ata kanë paralajmëruar veprime radikale.
“Mos na diskrimino, punëtorët nuk janë privatizuar, punëtorët nuk janë të privatizuar, Kosovës po i shtohen edhe 1 mijë raste sociale, kryeministër edhe punëtorët e Feronikelit janë Kosovë”, ishin disa nga thirrjet e punëtorëve të Feronikelit.
Punëtorët kanë shkuar para hyrjes së Kuvendit, duke tentuar të futen brenda ndërtesës, me ç’rast janë ndaluar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Ndërkaq i pari që doli para bashkëvendasëve të tij dhe të tjerëve punëtor nga Feronikeli ishte deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili e ka quajtur situatë të pabarazisë gjendjen e punëtorëve të kësaj kompanie.
Ai kërkoi nga punëtorët që të protestojnë dhe t’i mbrojnë të drejtat e tyre.
“Ndodhi një situatë e pabarazisë njerëzorë, juridike e qytetare. U ndanë punëtorët e “Ferronikelit” dhe gjiganti metalurgjik. Kjo qeveri me këto politika ekonomike dhe sociale është duke bërë ndarje të mëdha. Sinqerisht e kam ngritur këtë shqetësim edhe me ministrin e Financave por nuk ka vullnet me gjet zgjidhje. “Ferronikeli” nuk duhet të harrohet se është në qendër të Kosovës. Asnjëherë nuk ka qenë e lokalizuar, prandaj gabim e ka qeveria Kurti. Me kulturën më të madhe protestoni dhe mbroni të drejtat e juaja”, tha Shala.