Punëtorët e kompanisë “NewCo Ferronikeli” kanë protestuar para objektit të Qeverisë, më pas edhe para Kuvendit, pasi qe pesë muaj është ndërprerë prodhimi, si pasojë e krizës së zgjatur ekonomike.
Abedin Haxhiu, nënkryetar i Sindikatës së punëtorëve të Ferronikelit, ka thënë se është hera e tretë që kanë dalë të protestojnë para institucioneve të vendit duke kërkuar zgjidhje për ndalimin e prodhimit dhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës për mbi një mijë punëtorë.
“Nuk po kërkojmë që të na u falet energjia, por po kërkojmë që të na trajtoni si bizneset e tjera që po e konsumojnë këtë resurs energjetik. Ne jemi kontribues të barabartë të zhvillimit të vendit dhe kërkojmë të njëjtin standard të plotësimit si bizneset e tjera”.
“Deri më tani, Qeverisë i jemi drejtuar shumë herë me shkresa për mbështetje, por kemi mbetur pa përgjigje”, tha ai.
“Nëse nuk plotësohen kërkesat do të tentojmë me një presion më ta madh se kështu nuk po na merr askush parasysh. Nuk duam me thy dhe me shkatërrua por po na detyrojnë edhe për atë”, tha Haxhiu.
Partitë politike kanë dalë në përkrahje të protestuesve pas kërkesave të tyre për takim me deputetët.
Fillimisht Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Arben Gashi i Lidhjes Demokratike e Kosovës, kanë biseduar me protestuesit dhe iu kanë premtuar mbështje për kërkesat e tyre.
Më pas, 5 punëtorë përfaqësues janë pritur nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.