Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kanë protestuar para zyrave të KEK në Prishtinën për të kërkuar të drejtat e tyre për pagë duke mbajtur në duar disa pankarta me mbishkrime, “Punëtorët e rrezikuar në punë, por rrezikshmëria nuk paguhet”, “Duam ngritjen e pagave, dhe ne duam jetën”, “menaxhimet respekto ligjin e punës, paguaj vikendet për punëtorët me ndërrime”, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë thënë se puna e tyre po keqpërdoret duke theksuar se për punën e tyre po flasin njerëz që nuk i kuptojnë as punët elementare të një punëtori të KEK-ut.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK, Nexhat Llumnica ka thënë për keqmeanxhim e keqplanifikim të menaxhmentit të KEK nuk është faji i punëtorëve, për çka u ka bërë thirrje që ta hapin kuletën për ta, duke kërkuar edhe pagën e 13-të.
E mos t’ia japësh punëtorit të KEK-ut pagën e 13-të është më shumë se e turpshme,
“Faktikisht ne e dimë prodhimin e energjisë elektrike, punëtorët e KEK-ut prodhojnë e KEDS e KESCO bëhen milionerë. Këtë nuk e dëshirojmë dhe nuk do të lejojmë. Punëtorët e KEK si rezultat i rrezikshmërisë që japin çdo ditë 1 për qind të stafit përafërsisht vdesin nga sëmundjet profesionale që ne dyshojmë që i marrin ato. Kush më shumë se ne e meriton pagën e 13-të? Derisa kërkesa për ngritje të pagave është e kahmotshme, paga nuk është ngritur. Në gjithë sektorin publik e kemi pa një rritje të pagës edhe në korrik, por edhe jo për punëtorët e KEK. Thanë se kësaj radhe nuk po mundemi, po ua japim një bonus, e pranuam por u dakorduam që në fundvit të ndodhë kjo. Por në fundvit nuk po ndodhë asgjë. Deri mbrëmë kemi negociuar dhe jemi takuar me bordin e menaxhmentit të KEK, nuk ofruan asgjë. Arsyeja është e thjeshtë, keqplanifikimi dhe performanca e tyre, nuk është faji i këtyre punëtorëve që sot shpreh pakënaqësinë këtu. Por ta shohësh secilin punëtor këtu, secili prej tyre sfidon për të prodhuar dhe performanca e tyre është shembullore, prandaj ne nuk jemi fajtorë. Nga këtu i bëjmë thirrje KEK-ut ta hapin kuletën sepse ne e dimë që KEK e ka mundësinë të bëjë ngritjen e pagave prandaj dhe ne e kërkojmë. Kërkesa tjetër është që sigurimin fizik e kanë kthyer në kompaninë e KEK, kur ua kanë dhënë operatorëve ekonomikë ua kanë dhënë 2.7 milionë euro në vit, ndërsa punëtorëve që i kanë kthyer dhe po lavdërohen e thonë që siguria është shumë e madhe, pajtohemi edhe ne, ama këtyre po ua japin veç 1 milion e 800 mijë euro. Kështu që për ta ne kërkojmë nivelizim të pagave krahasuar të gjithë punëtorëve të KEK-ut”, tha Lluminca.
Llumnica në emër të punëtorëve ka kërkuar edhe pagën e 13-të siç iu ishte premtuar, për çka nënvizon edhe një megavat energji elektrike KEK ia shet KEDS-it 29 euro e gjysmë, ndërsa KEDS të njëjtin e shet me mbi 120 euro.
“Këtu jemi duke dëgjuar premtime për gjithë sektorin publik që paguhen nga taksapaguesit e Kosovës, që paguhen nga djersa jonë, që e marrin pagën e 13-të. E mos t’ia japësh punëtorit të KEK-ut pagën e 13-të është më shumë se e turpshme, prandaj ne shprehim sot pakënaqësinë në këtë formë por nuk do të jetë gjithmonë kështu, dhe nuk do të jemi kaq të qetë herave tjera. Sepse tek e fundit kompania nuk është e këtyre këtu, është e të gjithë punëtorëve të KEK-ut dhe e gjithë Kosovës. Derisa ne jemi drita e Kosovës, jemi aseti kryesor i Kosovës, për shkak se pa ne nuk ka zhvillim ekonomik e as buxhet 3–4 miliardë euro. Po e shohim një megavat energji elektrike KEK te KEDS e shet 29 euro e gjysmë, kurse KEDS te qytetarët e shet 120 euro e më shumë. Ndërsa janë duke keqpërdorur ndaj nesh. Nga këtu ju bëjmë me dije se përveçse e merr me këtë çmim falas si rezultat i dobësisë së menaxhmentit të KEK, KEDS KESCO ka borxh rreth 80 milionë euro. Kush është prapa tyre? Kush luan me djersën e punëtorëve? Këta janë hajna”, thekson ai.
Më tej Lluminca tha se nuk është faji i punëtorëve që për politikanët e menaxhmentin nuk po ndodhin gjëra të mira.
“Ne kemi qenë të vetëdijshëm gjatë gjithë kohës por këta nuk kanë kuptuar me fjalë. jemi pajtuar dhe me gjëra të dhimbshme që asnjë prej ne nuk kemi qenë të kënaqur. Sepse thoshin po presin ditë më të mira. ne nuk jemi fajtor që nuk iu ndodhin ditë më të mira këtyre. nëse nuk din me menaxhu le të shkojnë sepse në këtë mes që jemi ka shumë më të mirë”, tha në fund Llumnica duke thënë se dikush qëndron prapa KEK meqë të njëjtit nuk zbatojnë as vendimet e gjykatave dhe kësisoji po del që KEK është më i fuqishëm.
Kryetari i Sindikatës së KOSTT, Arben Pllana kërkoi që të rriten pagat.
“Jemi pranë finales dhe fitores së madhe që t’i rrisim pagat, jemi për fitore sepse jemi të bashkuar dhe bashkimi ka arritur me ju punëtorë të KOSTT dhe KEK, protestën e ardhshme ta bëjmë bashkë”, shprehu mbështetjen Pllana.
Ndërsa Seladin Sadiku nga KEK ka treguar gjërat e elementare për të cilat thotë se disa analistë e politikanë flasin por nuk i dinë.
“Mos të politizohet protesta. Shumë herë mbrëmje shohim analistë dhe njerëz të caktuar nga partitë politike. Nuk du me u marrë me asnjë hiç. Flasin në emër të KEK-ut e nuk e dinë bazën elementare çka është miniera dhe ekskavatori, nuk e dinë as çka është turbina e as gjeneratori. Nuk e dinë as rrjetin sa e përballon energjinë elektrike, shumë herë flasin në emër tonin, të klasës punëtore. Marrë duhet me ju ardhë”, tha ai.
Protestuesit u shpërndan të qetë, duke paralajmëruar se do të kenë dhe një protestë tjetër mbi të cilën do të njoftojnë.


