Të larguar në shtator të vitit të kaluar nga puna, 93 punëtorët e KEDS-it e kanë fituar edhe një betejë ligjore ndaj kësaj kompanie.
Kjo pasi edhe Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazë kërkesën e paditësit për shtyrjen e vendimit të Inspektoratit të Punës të datës 2 dhjetor 2016, me anë të të cilit i kërkohet KEDS-it që t’i kthejë në punë punëtorët e larguar.
Në aktvendimin e siguruar nga gazeta thuhet se refuzohet si e pabazuar ankesa e paditësit KEDS, dhe vërtetohet vendimi i Gjykatës Themelore i marrë më 30 dhjetor 2016.
Por, në KEDS nuk kanë dashur që të komentojnë për vendimin, duke thënë se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar ende. “Procesi gjyqësor nuk ka përfunduar ende dhe pasi është një proces i papërfunduar ne nuk mund të komentojmë, pasi nuk dëshirojmë të interferojmë në të”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënësi i KEDS-it.
Në anën tjetër, Gjykata e Apelit në vendimin e marrë më 16 shkurt të këtij viti, e ka hedhur si të pabazuar ankesën e paraqitur nga KEDS-i, duke e cilësuar të drejtë vendimin e Gjykatës Themelore. (Koha Ditore)