Këshilli Organizativ i Protestës në MKRS ka mbajtur konferencë për medie lidhur me vendimin sindikal për shpalljen e grevës së përgjithshme, për të kundërshtuar zhvendosjen nga objekti aktual, raporton Ekonomia Online.
Bislim Bislimi zyrtar ligjorë në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, tha se do të ushtrojnë kallëzim penal ndaj ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar ndaj vendimit që ka nxjerrë për largimin e stafit të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit nga ky objekt dhe që nga nesër do të jenë në grevë për të kundërshtuar këtë vendim.
“Gjendemi para fillimit të grevës së përgjithshme në vendin e punës të stafit të punësuarve në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, është kërkesa e gabuar para së gjithash dhe mbi të gjitha vendimmarrje në kundërshtim me ligjin për zhvendosjen e MKRS-së nga objekti ku ka zhvilluar veprimtarinë deri tani për nevoja të presidencës së Republikës së Kosovës për shkak që ky vendim i jashtëligjshëm i ish-ministrit tani Mahir Yagcilar është në kundërshtim me vendimin e qeverisë i cili ka fuqi ligjore më të madhe sesa vendimi i një ministri aq më kap në shkuarje”.
“Ne do ta kontestojmë atë vendim në rrugë ligjore do të kërkojmë nga gjykata që të ndërmarr brenda afateve ligjore masën e pezullimit të vendimit me qëllim të parandalimit të pasojave, dhe gjithashtu për shkak se e kemi paralajmëruar më herët më herët me një shkresë ku është shpjeguar kuadri ligjor i gjithë procesit. Ne do të përgatisim kallëzim penal ndaj ministrit për shkak se kjo vendim marrje shkakton pasoja direkte në buxhet”, tha Bislimi.
“Ideja e kësaj konference është që edhe një herë të tregojmë vendosmërinë për kundërshtuar me të gjitha mjetet juridike një vendim që është i jashtë ligjshëm që ka marrë një ministër që nuk do të duhej ta merrte atë vendim për arsye se është një vendim i ish-kryeministrit Thaçi ku ka kërkuar me një vendim që të gjitha institucionet që janë në prona private të kalohen në prona publike. Ai vendim asnjëherë nuk është shfuqizuar, këta njerëz që e kanë marrë këtë vendim janë të pandërgjegjshëm”, ka thënë Labinot Berisha, kryetar i sindikatës.