Punëtorët e “Pastrimit” kërkojnë veprime nga Komuna – “Rrezik humbja e borxhit 20 milionë euro”

Prishtinë | 22 Nën 2024 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Pas takimit disa orësh, përfaqësues të punëtorëve të Ndërmarrjes Publike Rajonale KRM “Pastrimi”, kanë kërkuar edhe njëherë nga Komuna e Prishtinës ta anulojnë tenderin në vlerë prej 16,4 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.

Ata pas këtij takimi, renditen kërkesat që i kishin parashtruar para autoriteteve komunale, teksa theksuan se me këtë vendim, KRM “Pastrimi” mund të falimentojë.

“Kërkesa tona janë rregullorja faqe 14 neni 16 pika 3 për menaxhimin e mbeturinave ku thuhet se ‘Komuna e Prishtinës mund të angazhojë kompani tjetër për t’i ndihmuar kompanisë regjionale të mbeturinave ‘Pastrimi’ në rast të vështirësive gjatë operimit’. Më datë 1 dhjetor të vitit 2023, komuna ka marrë këtë vendim. Ky vendim duhet të anulohet, ky vendim na ka sjellë në këtë gjendje. Tenderin të cilin e ka shpallë komuna ku e ka ndarë Prishtinën në gjashtë llote e që dëshiron t’ia japë privatit me falimentua ‘Pastrimin’, duhet të largohet. Operatori i vetëm për grumbullimin e mbeturinave të jetë KRM ‘Pastrimi’. Faturimi të bëhet nga ‘Pastrimi’ dhe të mos jetë barrë e komunës, për arsye se kemi personel të mjaftueshëm për shpërndarjen e faturave”, tha njëri nga përfaqësuesit e këtyre punëtorëve.

“Për një arsye tjetër që me u rikthye faturimi KRM ‘Pastrimit’ është borxhi i qytetarëve ndaj kompanisë mbi 20 milionë euro që rrezikojnë të humbin komplet. Komuna e Prishtinë që dy vite nuk ka bërë regjistrim të klientëve të rinj që ia kemi dorëzuar ne si kompani. Bizneset me u faturua nga kompania, me mbet siç ka qenë sepse edhe atë po dëshirojnë të na marrin. Nënshkrimi i kontratës me ‘Pastrimin’ për t’a arritur projektin e KFW-së që është duke punuar që disa vite në atë projekt. Largimi i operatorit privat dhe me mbet vetëm KRM ‘Pastrimi’ me 900 punëtorë të cilët duan të mbesin pa punë”.

Të ngjashme