Kanë kaluar gati tri javë prejse një pjesë e punëtorëve të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Istog ia kanë dorëzuar kryetarit të Komunës dhe Drejtorisë së Shëndetësisë një peticion me kërkesën për shkarkimin e drejtorit aktual të QKMF-së, Shefqet Mehmetaj, shkruan sot Koha Ditore.
Me këtë peticion të nënshkruar nga 19 mjekë, 3 teknikë dhe 26 infermierë dhe të protokolluar më 25 janar, ata kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre ndaj drejtorit, “Mosrespektimi i orarit të punës, fyerjet dhe sjelljet arrogante ndaj personelit shëndetësor, paaftësia në menaxhim dhe udhëheqje të punëve në QKMF, puna me një grup të caktuar dhe anashkalimi i punëtorëve të tjerë…”, janë disa nga arsyet e pohuara me këtë peticion për të cilat shprehin pakënaqësitë e tyre mjekët, teknikët dhe infermierët ndaj drejtorit të QKMF-së në Istog.
Sipas këshillit organizativ të këtij peticioni, pothuajse çdo gjë që është nën menaxhimin e këtij drejtori, është shkatërruar dhe keqpërdorur.