Kriza ekonomike tashmë ka filluar dhe kjo krizë pashmangshëm më së shumti i godet shtresat më të varfëra të shoqërisë – rastet sociale, të papunët, por edhe të punësuarit me të ardhura të ulëta. Kjo është e vërtetë për secilin vend dhe po bëhet shumë e rëndë në Kosovë.
Punëtorët e sektorit privat janë më të rrezikuarit për shumë arsye.
“,Shumica prej tyre janë punëtorë me kontrata afatshkurta dhe pa kurrfarë mbështetje institucionale. Duke qenë njëkohësisht të shumtën të punësuar në vende pune që nuk kërkojnë punë të kualifikuar, ata janë lehtë të zëvendësueshëm. Në rrethana të tilla këta punëtorë jetojnë brenda një rreziku të lartë e të përditshëm për vendin e tyre të punës. Tash meqë jemi në një jashtëzakonshmëri shëndetësore e sidomos ekonomike, këta janë ata të cilëve u suspendohet marrëdhënia e punës. Është e vërtetë që Pakoja emergjente fiskale e qeverisë ua mbulon këtyre punëtorëve pagën në lartësi prej 170 eurosh (tash për tash vetëm për muajin prill dhe maj). Mirëpo kjo është skajshmërisht e pamjaftueshme për një minimum jetik për familjen mesatare në Kosovë (4-5 anëtarëshe). Kjo bëhet edhe më e rëndë duke pasur parasysh që shumica e personave me kontratë pune tashmë e ka një kredi bankare të cilën e ka planifikuar ta paguajë përmes pagës (300-400 euro në muaj)”, thuhet në komunikatën e Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”
Kategoria tjetër edhe më e rrezikuar e punëtorëve janë ata pa kontrata të rregullta. Numri i punëtorëve të paregjistruar në Kosovë shkon deri në 35% të numrit të përgjithshëm të punëtorëve (Analizë e ekonomisë gri në Kosovë, ASHAK 2019). Kjo pjesë e fuqisë punëtore automatikisht kalojnë në situatë pa asnjë të ardhur mujore dhe duke mos figuruar në regjistrat zyrtar këta për institucionet publike nuk ekzistojnë fare. Rrjedhimisht nuk mund të kenë kurfarë mbështetje, përveç regjistrimit si të papunë në mënyrë që të sigurojnë një të ardhur mujore prej 130 eurosh në muaj. Edhe kjo mundësi mbetet e paqartë pasi që Pakoja emergjente e Qeverisë ka garantuar një fond që do ta mbulojë “Pagesën e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130 €) euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, për muajin prill, maj dhe qershor…”. Mirëpo punëtorët pa kontratë e kanë të pamundur ta dëshmojnë që e kanë humbur vendin e punës pasi që ata zyrtarisht nuk kanë qenë asnjëherë të punësuar. Por edhe nëse bëhen përfitues të kësaj skeme këta do të kalojnë nga 300-400 euro në muaj në 0-130 euro në muaj brenda natës. Edhe gjatë kohës sa kanë punuar si punëtorë të paregjistruar të drejtat e këtyre kanë qenë skajshmërisht të cenuara e të ardhurat të cunguara (kur kemi parasysh që për ta nuk janë paguar sigurimet pensionale). Nëse ja shtojmë kësaj edhe vonesat e përhershme në pagat mujore dhe borxhet të cilat i kanë akumuluar punëdhënësit që e kanë shfrytëzuar pozitën e vështirë të këtyre punëtorëve, të gjitha këto mbesin padrejtësi të padokumentuara.
Shumica dërmuese e këtyre punëtorëve vijnë nga sektorë që nuk kanë asnjë organizim sindikal në Kosovë si ndërtimtaria, hotelieria, sektori financiar, ai i shitjes me shumicë e pakicë, punëtoritë e vogla e të mesme prodhuese, janë pothuajse tërësisht të pambuluara nga sindikata aktuale (për hir të korrektësisë në Kosovë funksionon Sindikata e Sektorit Privat, por një pjesë e konsiderueshme e këtyrë punëtorëve nuk janë as të anëtarësuar në të e as të vetëdijshëm për ekzistencën e saj). Rrjedhimisht këta punëtorë janë lënë të vetëm dhe Qeveria fatkeqësisht këtë problem ekonomik dhe krizën aktuale e sheh vetëm përmes dy prizmave: atë të biznesit (kapitalit) dhe nevojat e tij; atë të varfërisë, e për të cilën porpozon masa zbutëse bamirësie e jo të tilla politika sociale që bazohen në të drejta e sipas parimit të solidaritetit e barazisë. Ndërsa Sindikatat nuk dëgjohen të flasin për këto kategori meqë nuk i kanë anëtar (e rrjedhimisht as klientë).
Pozita e rënduar e këtyre punëtorëve në këtë kohë krize flet zëshëm për domosdoshmërinë e fuqizimit të organizimit sindikal në Kosovë. Fuqizimi nënkupton edhe zgjerimin e organizimit sindikal nëpër sektorë të shumtë aktiv të ekonomisë sonë e të cilat janë tërësisht jashtë një organizimi të tillë. Natyrisht që rrethana e tilla në të cilat punojnë këta punëtorë e bëjnë organizimin sindikal mjaftë të vështirë. Këta sektorë për të cilët folëm më lartë, kërkojnë punë pa kualifikime ose me kualifikime të ulëta. Kjo i bën këta punëtorë lehtë të zëvendësueshëm dhe si të tillë këta bëhen shumë më të eksploatueshëm. Por në këtë pikë duhet të ketë mbështetje të fuqishme nga institucionet publike që t’u garantojnë këtyre punëtorëve sigurinë e vendit të punës dhe të drejtën e organizimit sindikal. Në këtë drejtim duhet edhe të ndërhyhet në Ligjin e Punës për ta eliminuar fleksibilitetin e skajshëm e absurd të kontratave në këtë ligj. Në Ligjin në fuqi të Punës nuk ka afat minimal për lidhjen e kontratës së punës. I vetmi afat i caktuar aty është ai maksimal (10 vite) për një kontratë për afat të caktuar. Nëse këtë e tejkalon kontrata atëherë ajo konsiderohet si kontratë për afat të pacaktuar. Mungesa e afatit minimal (p.sh. ndalimi i kontratës më të shkurtë se 1 vjet) krijon pasiguri të madhe për punëtorët meqë është dëshmuar tashmë që kontratat afatshkurtë përdoren si mjet diciplinimi për punëtorët, për shkak se e rrisin jashtëzakonisht shumë arbitraritetin e punëshënësit dhe i cungojnë të drejtat e punëtorëve.
Një organizim i tillë sindikal do t’i sillte shumë dobi edhe shtetit dhe shoqërisë sonë. Së pari për shkak se këta punëtorë të bashkuar e organizuar do të kenë kapacitete shumë më të mëdha të përmirësimit të kushteve të veta të punës, përfshirë edhe pagat e tyre. Rritja e pagave në sektorin privat i shërben ekonomisë në përgjithësi, meqë e rrit kërkesën agregate shoqërore. Së dyti organizimi sindikal do ta përshpejtonte edhe regjistrimin e këtyre punëtorëve dhe uljen e ekonomisë gri në këtë fushë. Anëtarësimi në sindikatë, kur nuk ka frikë nga humbja e vendit të punës, bëhet shumë tërheqës për punëtorët. Kështu ata do të legalizoheshin përmes regjistrimit në sindikatë. Një gjë e tillë do ta ndihmonte drejtpërdrejt shtetin tonë për shkak se do ta rriste shumën e parave të paguara në formë tatimesh për shtetin.
Kriza aktuale e ka vënë në pah edhe një dobësi të jashtëzakonshme që e ka Republika e Kosovës e veçanërisht punëtorët në të – mungesa e Fondit për Papunësi. Natyrisht që një fond i tillë do ta kishte të pamundur që i vetëm ta mbulonte këtë rëndesë kaq të madhe dhe të shkaktuar përnjëherë. Mirëpo kriza të tilla në mikro struktura ekonomiko-shoqërore ne kemi vazhdimisht në ekonominë tonë. Dhe ashtu siç është e papërballueshme kur pjesa më e madhe e të punësuarëve në Kosovë nuk kanë të ardhura për shkak të pandemisë, ashtu është e papërballueshme për punëtorët individual kur e humbin vendin e punës në kohe zakonshmërie. Kjo krizë tregon se sa e rëndësishme është të kemi mbrojtje të të drejtave dhe interesave të punëtorëve në Kosovë. Tash që krizën po e ndjejmë të gjithë, do të duhej të na kujtonte e vetëdijësonte se sa i vështitrë e i padrejtë është ballafaqimi me kriza të tilla. Dhe po ashtu ta kuptojmë se ka të tjerë që këtë ballafaqim e kanë gati se çështje përditshmërie. Ata, e potencialisht secili prej nesh, kemi shumë nevojë për mbështetje institucionale në rastin e humbjes së vendit të punës. Prandaj Fondi për Papunësi është domosdoshmëri shoqërore e ekonomike për vendin tonë.