Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) janë detyruar që të futen në grevën njëorëshe, meqenëse as në ditën e 17-të nuk kanë marrë pagat e tyre për të cilat edhe punojnë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Gëzim Bimbashi tregoi se lajmet e orës 11:00 nuk kanë shkuar në transmetim dhe se kjo u bë në shenjë pakënaqësisë e që simbolizon grevën.
|Ne jemi në transmetim të drejtpërdrejt si televizion Publik, jemi në formën jo të dëshiruar që kemi ardh sot në grevë. Ky është paralajmërim. Edicioni i orës 11:00 i lajmeve nuk është duke shkuar, për shkak se 700 punëtorë janë pa paga dhe në gjendje shumë të rëndë. I bëjmë thirrje prej këtu Qeverisë së Kosovës se mundet ta gjejë një zgjidhje ligjore. Ta gjejnë një zgjidhje ligjore e pastaj le të provojnë të krijojnë komisione e trupa të Kuvendit sepse situata është emergjente, nuk pret. Një falënderim shumë të madh për media, për kryetarin e BSPK, SBASHK, Kusarin dhe gjithë koleget e mediat që po përkrahni dhe solidarizoheni me televizionin Publik”, tha ai.
Bimbashi u kërkoi partive politike që çështjet e tyre politike t’i zgjedhin mes vete e mos ta implikojnë RTK-në, pa çka theksoi se do ta mbrojnë me çdo çmim.
“Ne i bëjmë thirrje, mos na bëni pjesë të qërimit të hesapeve të partive politike. Zgjidhni ato mes vete. Televizioni publik dhe punëtorët e saj e bëjnë punën profesionale dhe të pavarur. Ne do të presim deri të hënën. Nga e hëna do të fillojë greva dhe me masa më të rënda dhe nuk do të zgjedhim ndoshta dhe mjete sepse jemi në situatën shumë të rëndë sepse janë 700 familje pa paga. Paramendoni në këto kohë kur gjithçka është shtrenjtu dhe ka fluturuar në qiell ne nuk kemi as pagat për të cilat punojmë dhe e kemi kontratë. Në vend se ne të dilnim dhe të kërkojmë rritje që po ndodhë nëpër krejt shtetin, ne dalim me kërku pagën që na takon me ligj. I bëjmë thirrje gjitha aktëreve dhe mos lejonin bllokimin e televizionit Publik. Ne iu kemi shkruar institucioneve të Bashkimit Evropian he i kemi njoftuar për situatën,. Mos lejoni situatën me dalë jashtë kontrollit. Televizionin publik do ta mbrojmë me çdo çmim. Nuk ka çmim që na ndalë nga kjo kauzë”, theksoi Bimbashi.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, tha se situata është e papranueshme dhe kërkoi që palët të ulen urgjentisht për të zgjidhur problemin, duke theksuar se punëtorët po kërkojnë vetëm të drejtat elementare.
“PSKP Ka mbështetje të plotë për punëtorët e RTK-së, është e pa pranueshme që gati të përfundoj muaji dhe të punësuarit të mos kenë paga, po bëjë thirrje që të ulen bashkë dhe të zgjedhin këto problem. Ne duhet të kërkojmë të drejtat tona elementare dhe jot ë flasim për paga”, ka theksuar ai.
Juristja e medias, Flutura Kusari, e quajti këtë moment “pikën më të ulët” për transmetuesin publik, duke deklaruar se vonesat e pagave janë pasojë e presioneve politike.
Ajo paralajmëroi se RTK-ja mund të përballet me kolaps nëse situata vazhdon, pasi punëtorët nuk mund të punojnë pa paga.
“Sot është pika më e ulët që ndonjëherë i kemi parë transmetuesit publik, për shkak se 700 punëtorë janë detyruar të dalin dhe me kërkuar atë që i takon me ligj. Kjo është rezultat i presionit politikë që vie drejtpërsëdrejti nga Kurti dhe VV-ja, presion ky i filluar para gjysmë dekade fillimisht me politizimin e bordit të RTK-së ku me sukses shumë anëtarë janë politizuar dhe vendimet i ka marruar të politizuar, pastaj me kapjen e menaxhmentit të RTK-së, tani duke e përdorur edhe presionin financiar ashtu që ata redaktor gazetarë, të cilët nuk kanë pranuar të nënshtrohet presionit politike, po përdorin këtë formë presionin financiar që ti gjunjëzojnë ata. Shpresojmë që nuk kemi me parë atë që ka ndodhur në Greqi ku televizioni publik është mbyllur me muaj për shkak të presionit politik mirëpo me atë që po shkoj kam frikë që një gjë e tillë do të ndodh, pra do të kolapsoj RTK-ja për shkak se nuk është e mundur që punëtorët të dalin të punojnë pa paga. Kurti po përdor RTK për shantazh politikë në mënyrë që të arrij qëllimet e tij politike, e lus që ta bëjë lojën politike jashtë oborrit të RTK:, përfundoi Kusari.
