Udhëheqja e Sindikatës së Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka marrë vendim për fillimin e protestave dhe grevave për punëtorët e sektorit privat lidhur me rritjen e pagave, zbatimin e ligjit të punës, dhe marrëveshjes kolektive, raporton Ekonomia Online.
Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës, tha se ka ende punëtorë që paguhen nga 130 dhe 170 euro.
Ai më tej shtoi se po kërkojnë kushte më të mira të punës dhe paga mbi 350 euro.
“Sot kemi ardhur të marrim vendimin për fillimin e protestave dhe për fillimin e grevave. Para 20 minuta na erdh një konfirmim nga komuna e Prishtinës se pagat e punëtorëve te ne janë rritur për 4% dhe pagat e tyre në fund të këtij muaji do t’i marrin rreth 500 euro”.
“Për ne është kërkese qysh nga viti 2018 dhe tani kërkesa jonë është që çdo punëtor i këtyre kompanive që janë kontraktuese të komunës së Prishtinës të jenë 350 euro”.
Azemi u shpreh se premtimi për rritjen e pagës minimale nuk po zbatohet, prandaj edhe janë të detyruar që të dalin në protesta e grevë, për të cilat tha se nuk do të ketë afat se kur do të ndalen, raporton EO.
“Javën e ardhshme do të fillojmë me greva dhe protesta pavarësisht që kemi rritje. Paga minimale është paraparë që të jetë 250 euro dhe po e formojmë Qeverinë që kjo pagë ka vdekur dhe ata që do në të marrin shërbime nga sektorit privat paga në sektorin privat do të jetë 350 se përndryshe nuk ofrojmë shërbime. Fuqia jonë dhe djersa jonë nuk do të nëpër këmbët”.
“Deri në fund të këtij muaji nëse ka përmirësime do të ndalemi nëse jo do të hyjmë në greva. Nga java e ardhshme do të fillojnë me protesta dhe me greva. Këto do të fillojnë nga e marta ndërsa se sa do të zgjat nuk dihet ende”.
Ditë më parë, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës kishte mbajtur një takim ku ishte biseduar për kushtet e rënda të punëtorëve të këtij sektori.