Prej 18 muajsh punëtorë të Stacionit të Autobusëve në Istog nuk kanë arritur t`i marrin pagat për mungesë buxheti.
Autobusët nuk parkohen në peronë të Stacionit për t`i ikur pagesës.
“Po jetojmë nga ajri”, është komenti i kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” Sh.A. në Istog, Mentor Vuthaj, për mosmarrjen e pagave. Vuthaj tregon se komplet stafi deri tash nuk i kanë marrë pagat për 18 muaj. “18 muaj jemi brenda me rroga. Mosmarrja e rrogave me rregull janë akumuluar gjitha këto paga. Muajin e kaluar e kemi marrë rrogën e muajit nëntor të vitit 2017. Këtë muaj tash presim me marrë rrogën e dhjetorit 2017. Kurse asnjë rrogë e vitit të kaluar e as një rrogë e vitit 2019 ende nuk është ekzekutuar”, tregon Vuthaj.
Në bazë të ligjit, ndërmarrjet publike lokale duhet vetë të gjenerojnë të ardhura. Mirëpo, siç thotë Vuthaj, Komuna është obliguar të krijojë kushte dhe mundësi që kjo ndërmarrje të gjenerojë të ardhura.