Mbi 1800 punëtorë të Telekomit kanë nënshkruar peticion kundër vazhdimit të kontratës në mes të Telekomit dhe Z-Moblile, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Sindikatës së PTK-së, Lamih Balaj, ka prezantuar peticionin përmes së cilit kërkojnë mosvazhdimin e kontratës me Telekom.
“ Javën e shkuar kemi organizuar një peticion përmes se cilit synojmë mos vazhdimin e kontratës me Z-Mobile e që i janë përgjigjur mbi 1 mijë e 800 persona“, ka thënë ai.
Balaj ka thënë se përveç kësaj kontrate, Telekomi ka edhe kontrata të tjera të dëmshme.
“Në këtë gjendje të rëndë Telekomin e Kosovës e kanë sjellë kontratat e dëmshme, sipas të gjitha analizave listës së të dëmtuarve të Telekomit i prin kontrata me Z-Mobile e lidhur në vitin 2009 dhe skadon këtë vit më 30 korrik”, ka shtuar ai.
I pari i sindikatës ka shtuar se vazhdimi i kontratës sjell falimentimin.
Telekomi është dëmtuar për shkak të kësaj kontrate dhe vazhdimi i saj nënkupton falimentimin e Telekomit te Kosovës ndërsa mos vazhdimin e saj do të lehtësonte Telekomin nga një barrë e papërballueshme dhe do të lejonte rimëkëmbjen e tij”, ka thënë ai.
Balaj ka thënë se ky peticion do t’i dërgohet institucioneve dhe nëse nuk merret parasysh kanë paralajmëruar hapa tjerë në rast të nënshkrimit të kontratës.