Punëtorët kërcënojnë me bojkotim të punës në Qendrën e Studentëve

Prishtine | 20 Qer 2016 | 14:13 | Nga

Punëtorët e kompanisë “Higjiena” kanë protestuar sot para Qendrës së Studentëve(QS), të cilën e mirëmbajnë, duke kërkuar pagesën prej 0.5 përqind të stazhit të punës, e drejtë kjo e rregulluar me kontratën kolektive.

Ata kërcënuan edhe bojkotim të punës javën që vjen, nëse nuk marrin ndonjë përgjigje pozitive nga Qendra e Studentëve. Kjo e fundit, tha se punëtorët i janë drejtuar institucionit të gabuar, meqë ata duhet të kërkojnë të drejtat e tyre tek kompania “Higjiena”.

Ibadete Mahmuti, punëtore e kompanisë “Higjiena” në Qendrën Studentore, tha se nuk tërhiqet nga protesta derisa të plotësohen kërkesat e punëtorëve.

Ajo tha se do të ndërpresin edhe punën, nëse nuk zbatohen të drejtat e tyre.

Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, tha se nuk kanë gjetë mirëkuptim me Qendrën e Studentëve, lidhur me pagesën të cilën po e kërkojnë punëtorët.

Ndërsa drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta u tha gazetarëve se punëtorët duhet të kërkojnë të drejtat e tyre tek kompania të cilës i takojnë.

Ai drejtoi akuza drejtë kryetarit të sindikatës, për të cilin tha se po manipulon me punëtorët protestues.

Punëtorët që mirëmbajnë Qendrën e Studentëve ka gati dy vjet që janë privatizuar, dhe i takojnë kompanisë private “Higjiena”, drejtori i së cilës nuk qe i gatshëm të përgjigjet para gazetarëve të cilët pritën para zyrës së tij, ani pse ai ishte brenda .

Ndërsa punëtorët që po protestonin, që ishin rreth 20 në numër, thanë se kërkojnë dokumentacionin i cili thotë se ata janë privatizuar me pëlqimin e tyre.

Sipas tyre, katër mijë nënshkrime të cilat janë mbledhur, e që thuhet se dëshmojnë pëlqimin e punëtorëve për privatizim, janë nënshkrime që janë mbledhur për të kërkuar mos të privatizohen.

Punëtorët që mirëmbajnë Qendrën e Studentëve, të cilët mendojnë se QS është adresa që ku duhet drejtuar për kërkesën e tyre për pagesën e stazhit të punës prej 0.5 për qind, thanë se do të bojkotojnë punën nëse nuk marrin përgjigje pozitive për kërkesën e tyre.

Protesta qe e qetë dhe zgjati rreth 40 minuta.

Të ngjashme