Në shkollën fillore të mesme të ulët “Dardania” në kryeqytet, 12 punëtorët teknikë janë në protestë.
Sot dhe nesër nga ora 10 deri në orën 11 ata nuk do të kryejnë asnjë punë që e kanë obligim me arsyetimin e vonesave të rrogave të muajit gusht, raporton Ekonomia Online.
Milaim Sopi, përfaqësues i punëtorëve teknikë të kësaj shkolle, tha se kjo vonesë e pagave është duke u bërë si rezultat i mosmarrëveshjeve mes kompanisë private “MSS” dhe Komunës së Prishtinës.
Sopi paralajmërojnë që nëse deri të hënën nuk marrin rrogat do të futen në grevë. Për grevën sipas tij është njoftuar drejtori i kompanisë MMS që menaxhon me ta.
“Ne punëtorët e shkollës fillore ‘Dardania’, punëtorët teknikë, për shkak të mospagesës së pagës për muajin gusht nga kompania ‘MSS’ në mosmarrëveshje me Komunën, jemi të detyruar dhe në marrëveshje me sindikatën e pavarur të Kosovës, Jusuf Azemin, që sot dhe nesër të protestojmë nga ora 10:00 deri në orën 11:00″.
“Në qoftë se kompania “MSS” dhe Komuna nuk gjejnë kompromis jemi të detyruar që të martën do të hyjmë në grevë të përgjithshme. Përfaqësuesi i kompanisë na ka thanë që pagat katër muajt e fundit ia kam paguar prej buxhetit rezervë. Sipas tyre Komuna qe katër muaj nuk ia ka dhënë paratë kompanisë që të na paguajnë neve. Përfaqësuesit e “MSS” na kanë thanë që nuk keni paga. Neve nuk po na intereson cili është fajtori, a është komuna apo kompania, ne i duam vetëm pagat që i meritojmë të na i paguajnë”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu tha se kanë njoftuar drejtorinë e shkollës dhe sipas tyre drejtori i ka përkrahur për shkak se është në dijeni për punën që e kanë bërë.
E Nexhibe Rushiti tha se mosmarrja e rrogës së muajit gusht ka ndikuar shumë në familjen e saj.
“Unë jam kryefamiljare. Asnjë fëmijë nuk më punon vetëm unë me këtë rrogë… Paramendo muaji shtator çka do me thënë për neve punëtorët të cilët varen vetëm prej kësaj rroge. Fëmijët në shkollë, nuk kanë tekste, asgjë, krejt na duhet me u interesu për ata. Kompania po ia hedh fajin Komunës. Nuk i diml këto gjëra, nuk jemi në rrjedha, ne jemi vetëm punëtorë, kemi punuar çdo ditë, vetëm 18 ditë kemi pasur pushim vjetor. Kemi ardhur, janë duke e rinovuar shkollën, asnjëherë nuk jemi ndalë, punën më të madhe e kem kryer ne punëtorët. Ka qenë festa e Bajrmait është dashur që na me i marr hua kudoqoftë me ua ba drekën fëmijëve”, tha Rushiti.
I vetmi që punon në familje është edhe Xhemail Xhakaliu. Ai paralajmëroi që nëse nuk i marrin rrogat edhe të muajit shtator atëherë nuk do të punojnë më.
“Normalisht që edhe paga ndikon. Edhe unë vetëm unë punoj dhe i mbaj gjashtë anëtarë, kështu që ka reflektuar shumë keq… Pa pagë nuk punon askush, krejt jemi ardhur për pagë e kështu është një turp i turpit. Me një shkollë punojnë 15-16 punëtorë të themi 4-5 janë me komunë se kanë bërë ndarje edhe në punëtorë, qeverisja e mëhershme, e ata i kanë marrë para feste e na hale jo. Çfarë marrie është kjo”, ka thënë ai.
Xhakaliu tregoi që deri më tani nuk kanë pasur probleme me kompaninë.
“Nuk kemi pasur vërejtje në kompani deri më tani, përveç rrogës së gushtit që ka filluar me vonesë, edhe ka lajmëruar që këtu e këndej, pagë prej neve mos pritni. Mosmarrëveshjet që i ka me komunën ata duhet t`i zgjedhin vetë e jo na”.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të shkollës “Dardania”, Isak Bregaj, nuk ka dashur që të flasë para kamerës me arsyetimin e këta punëtorë nuk janë nën menaxhimin e tij.
Edhe shkollat “Pjetër Bogdani”, “Gjergj Fishta”, dhe “Asim Vokshi” kanë vendosur të mbajnë grevë dyditore për shkak të vonesës së rrogave.