Punëtorët teknikë të Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë kanë hyrë në ditën e 18-të të grevës, për shkak të pagave të ulta. Ata kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë deri në përmbushje të kërkesave të tyre.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat (SPSPK), Jusuf Azemi, ka thënë për Ekonomia Online, se kjo grevë është paralajmëruar katër muaj më herët, por që sipas tij, nuk janë marrë për bazë kërkesat e tyre. Kritika ka edhe për drejtorin e spitalit, për të cilin e akuzon për moskomunikim.
“Ka qenë një paralajmërim më shumë se 4 muaj ditë që kemi paralajmëruara drejtorinë e spitalit që mungesa e pagave adekuate, me një pagë 287 euro nuk mund të punojnë më gjatë. Pas 4 muajve, insistimi që të bisedojmë, të dialogojmë dhe të rrisim këtë pagë nuk kemi pasur rezultate dhe përfundimisht para 18 dite kemi hyrë në grevë, për të cilën ne menjëherë pas dy tre ditësh kemi komunikuar me drejtorin e Administratës së Spitalit, në fakt kërkesa jonë është parë si kërkesë legjitime, por kërkesat tona që i kemi shkruar para 4, 5 muaj dite për rritje pagave ata thonë se administrata nuk na e ka drejtuar, por megjithatë kjo nuk çon peshë”, tha Azemi për EO.
Azemi ka deklaruar se grevën nuk do ta ndërprenë nëse paga nuk rritet në 450 euro. Ai thotë se mungon vullneti që paga të bëhet aq sa kërkohet.
“Problemi është se spitali sipas asaj çka po mundem me pa nuk po e shtyn procesin përpara, ka rrugë ligjore i kemi shtjelluar të gjitha janë të gatshme vetëm po mungon vullneti i spitalit, që këto paga të rriten në 450 euro. Domethënë gjithçka është në rregull në aspekt ligjor, ka mbështetje ligjore, ka mjete por pse po e vargisin çështjen që të vjen deri tek kjo ditë”, thotë Azemi.
Azemi thotë se punëtorët aty kanë përgjegjësi aq të madhe sa e mjekut, pasi sipas tij, punën kryesore pas mjekut e kryejnë këtë punëtorë. Ai ka premtuar se do t’i vizitojë sërish të martën, pasi shprehen këmbëngulës për kërkesat e tyre.
“Gjithherë po flasim në emër të punëtorëve që janë në grevë, pasi që unë i kam vizituar 3 herë dhe duhet t’i vizitojë sërish, ata janë këmbëngulës sepse normal që nuk mund të jetohet edhe nuk mund të punohet me këtë pagë çfarë e kanë, është një punë shumë e ndjeshme, të bësh mirëmbajtjen e sallave të operacionit në spital nuk është punë e lehtë, por është përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe, sa është përgjegjësi e madhe e mjekut që ta kontrollojë pacientin aq është përgjegjësi e madhe edhe e këtyre punëtorëve që të mirëmbajnë sallat e operacionit dhe është përgjegjësi dhe meqë kushtet ekzistojnë, mjete ka atëherë nuk e di pse nuk rriten këto paga, kur edhe vet thashë udhëheqja e spitalit e ka paraparë që kërkesa e tyre është legjitime”.
Teksa ka folur për grevën e këtyre punëtorëve, Azemi e quan legjitime kërkesën për rritje të pagave, me ç’rast thotë se konfirmim kanë marrë edhe nga drejtuesit e spitalit për këtë çështje. Ai shpreh keqardhje ndaj pacientëve për këtë grevë.
“Normal i zoti i shtëpisë është gjithherë fajtor pasi që në moment kur lindin një problem, duhet t’i thërret punëtorët, duhet ta thërret sindikatën dhe të shpjegojë ka mundësi, s’ka mundësi, ne bashkërisht jemi ulur dhe me drejtorin ekzekutiv dhe me drejtorët të tjerë dhe kërkesa është legjitime, modeli se si duhet të vihet deri te përfundimi i kësaj i kemi qitë në tavolinë ata kanë premtuar që për dy tre ditë, do të përfundojë kjo për megjithatë kjo nuk po përfundon. Neve na vjen keq për shkak të pacientëve por megjithatë në rend të parë që duhet t’i vijë keq, duhet t’i vijë keq Drejtorisë së Spitalit sepse ata për këtë paguhen”, u shpreh Azemi.