Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat (SPSP), Jusuf Azemi, ka thënë se nëse nuk marrin zotim deri të premten që pagat do të dalin me rritje, nga 2 shtatori punëtorët e QMF-së në Prishtinë, të shkollave, të sigurimit të QKUK-së dhe të UP-së do të hyjnë në grevë, raporton Ekonomia Online.
Ky vendim është marrë në takimin e mbajtur me kryetarët e shoqatave sindikale. Azemi ka thënë se nuk do të punojnë më për 270 euro dhe ka kërkuar paga mbi 450 euro.
“Arsyeja e ftesës së këtij takimi është sepse në marrëveshjen me komunën e Prishtinës dhe me shumë institucione të tjera, 1 shtatori duhet të fillojë me pagat 450 euro ashtu siç jemi marrë vesh. Në tender të gjitha këto paga kanë dalë me 450 euro, por sipas informacioneve tona me 1 shtator nëpër disa institucione nuk ka gjasa të fillojë me paga 405 euro”.
“Unë i kam ftuar sot këtu kryetarët që të marrim vendim nëse komuna e Prishtinës, UP dhe QKUK nuk garanton që do të japë mjete shtesë për pagë 405 euro. Ne do të marrim vendim dhe data e fundit është e premte, që do të kërkoj me shkrim nga të gjitha shoqatat dhe me 2 shtator do të futemi ne grevë. Për të qenë sa me real e dua firmën e secilit punëtor veç e veç, kjo është arsyeja sepse ne në marrëveshje me gjitha institucionet më 1 shtator duhet të fillojmë me pagën 405 euro”, ka thënë Azemi.
Emine Sahiti, përfaqësues e QMF-së në Prishtinë, ka thënë se premtime për rritje të pagës ka pasur çdo herë, por pagat nuk u janë rritur. Ajo ka shpreh bindjen se greva do duhej të niste që nga sot.
“Ne kemi qenë të bindur që të mos e fillojmë punën që nga sot. Sa herë na kanë premtuar dhe jemi tepër të zhgënjyer. Ne tepër kemi punuar deri tani. asnjë person ne Kosovë nuk besoj që mendon që është e mjaftueshme kjo pagë. Jo e mjaftueshme, kjo është shaka me ne, një muaj ditë të punosh me 200 euro. Nuk paguhen as festat, paga është shumë e vogël, nuk e din as ku po jeton, kur ti dëgjosh duke folur për demokraci, për zhvillim, për shkuarjen në Evropë, për sene a kur mendoj ku jemi ne si me qenë në një vend tjetër jo në Kosovë”, u shpreh ajo.
Pakënaqësi me paga ka edhe Nazife Krasniqi, përfaqësuese e punëtorëve teknik në Kuvendin e Kosovës.
“Ne kemi bërë kërkesa që të na rritet paga, ato nuk kanë lëvizur, në përjashtim një, dy herë nga 20 euro. 275 euro nuk është e mjaftueshme me punu. Ne kemi shumë obligime aty është seancë e rrimë pas orarit të punës nuk na paguhen. Kemi me udhëtu as nuk paguhet ushqim as kurrgjë”, u shpreh ajo.