Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë inspektuar punimet që po bëhen në shtratin e lumit Mirusha për rregullimin e ujërave të zeza, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se ky ka qenë një problem i madh i qytetarëve të Gjilanit, projekt ky i cili po përmbyllet përfundimisht.
“Siç e thash kemi dy herë festë për Gjilanin. Shtrati i lumit Mirusha është problemi më i madh për komunën e Gjilanit për 55 mijë banorë që jetojnë rreth lumit e që janë prek drejtpërdrejt nga ujërat e ndotura. Tregimi i madh për Mirushën po përmbyllet përfundimisht. Është 3 km shtrati vetëm në zonën urbane mbi të gjitha krijohet hapësirë për publikun dhe qytetarët”, tha Haziri.
Ai tha se ky projekt ka gjasa të përfundojë më 28 nëntor të këtij viti.
“Shpresojmë që me 28 nëntor t’i i japim fund këtij projekti bashkërisht dhe të kemi përsëri festë të madhe”, tha ai.
Ministri Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Fatmir Matoshi, shprehu keqardhje për zgjatjen e punimeve në shtratin e lumit Mirusha, raporton EO.
“Është njëri prej projekteve shumë të rëndësishme. Për qytetin e Gjilanit shpreh keqardhje që kjo punë ka zgjatë kaq shumë. Kemi fillu që nga gushti i vitit të kaluar që të punojmë intensivisht”, tha ai.
Ministri Matoshi i premtoi Hazirit mbështetje të vazhdueshme deri në përfundimin e këtij projekti.
“Zotohem para kryetarit që Ministria e Mjedisit do ta mbështes këtë projekt. Shpresojë që shëtitjen e parë ta bëjmë me 28 nëntor”, tha Matoshi.