Policia e Kosovës nuk ka arritur ende të zbulojë identitetin e personave, të cilët realizuan plaçkitjen e bankomatit, pronë e “Raiffeisen Bank”, ndërsa që ndaj tre pjesëtarëve të saj, që janë akuzuar për mosreagim në këtë rast, kanë pushuar hetimet.
“Raiffeisen Bank” nuk e ka bërë të ditur shumën e të hollave të cilat i janë marrë, me arsyetimin se me publikimin e shumës do të rrezikoheshin të dhënat konfidenciale, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në muajin qershor të vitit 2018 një grup i plaçkitësve kishte hyrë me forcë në objektin e Qendrës Tregtare ”Agmia” dhe kishin vjedhur paratë nga bankomati. Plaçkitësit kishin arritur pa telashe që të largoheshin nga qendra tregtare, i cili objekt gjendet afër kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe afër objektit të Gjykatës Themelore të Gjilanit.
Për këtë rast ishin arrestuar dhe suspenduar nga puna tre zyrtarë policorë, të cilët dyshoheshin se nuk kishin reaguar në parandalimin e plaçkitjes. Mirëpo, Prokuroria Themelore në Gjilan ka pushuar hetimet ndaj zyrtarëve, të cilët dyshoheshin se kishin keqpërdorur pozitën zyrtare. Pushimin e hetimeve e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra.