Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton se sot ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se ka pushuar hetimet ndaj tre zyrtarëve të saj, që dyshoheshin lidhur me keqpërdorim të pozitës zyrtare.
“Administrata Tatimore e Kosovës me datën 13.09.2017, ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, Njoftimin Nr. PP.I. Nr. 799/2015 datë 30.08.2017, me të cilin njoftohet ATK se pas përfundimit të hetimeve nuk ka ekzistuar dyshim i bazuar lidhur me keqpërdorimin e pozitës zyrtare nga tre zyrtaret e ATK-së, dhe si rezultat i kësaj Prokuroria me Aktvendimin Nr. PP.I. Nr. 799/2015 datë 30.08.2017, ka pushuar hetimet ndaj zyrtareve të ATK-së”, thuhet në njoftimin për medie
ATK bënë të ditur për opinionin publik se rasti ka të bëj me kallëzimin penal të paraqitur nga Policia e Kosovës. Ky nuk është rasti i vetëm për të cilin Prokuroria e Shtetit ka pushuar hetimin ndaj zyrtareve të ATK-së, si rezultat i kallëzimeve penale të paraqitura nga Policia e Kosovës, prandaj ATK njofton opinionin publik se veprimet e ndërmarraa nga zyrtaret e ATK-së lidhur me këtë rast, por edhe për rastet e mëhershme të zyrtareve të hetuar të bëra publike në media, kanë qenë në harmoni të plotë me ligjin.