Pa konsensus rreth Platformës së përbashkët, deputetët e Kuvendit këtë të mërkurë do ta bëjnë përpjekjen e radhës për ta stopuar nismën e presidentit Thaçi që të diskutojë për kufijtë në dialog me Serbinë.
Partitë në pushtet dhe ato në opozitë kanë folur për domosdoshmërinë e vendosjes së parimeve në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë, shkruan sot Koha Ditore.
Por kanë dallime në veprimet që duhet t’i paraprijnë një dokumenti të përbashkët.
Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të mërkurën të mbahet seanca e jashtëzakonshme, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufijve” në dialog me Serbinë. Për LDK-në, mbajtja e kësaj seance është parakusht për t’iu kthyer seancave të rregullta.