Ndonëse nga eksponentë të partisë në pushtet, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u kritikua pasi dorëzoi një draft statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, një i tillë po mirëpritet nga Bashkimi Evropian. Ndërkohë, Gjermania, shteti të cilit iu dorëzua ky propozim, ka konfirmuar se e ka pranuar të njëjtin, por nuk e ka komentuar më shumë.
Një draft statut të punuar nga “ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë”, kryeministri Rama dje konfirmoi se ia ka dorëzuar presidentit Francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.
“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociaoinit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charls Michel dhe palën amerikane. Është një draft punuar nga ekspert të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh. Gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë.” – deklaroi ai.
BE-ja e mirëpritet, Gjermania konfirmon se e ka pranuar
Qeveria gjermane ka konfirmuar se tashmë në dorën e tyre ndodhet ky draft-statut, megjithëse, nuk kanë pranuar që të komentojnë më shumë rreth tij.
“Ne mund të konfirmojmë pranimin e një dokumenti të tillë në Kancelari. Ne kërkojmë mirëkuptimin tuaj që nuk mund të komentojmë mbi përmbajtjen e tij konfidenciale.” – thuhej në përgjigjen e tyre për Nacionalen.
Bashkimi Evropian i ka thënë Nacionales se çdo “kontribut konstruktiv” në dialogun Kosovë-Serbi është i mirëpritur.
“Çdo kontribut konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nën të cilin po diskutohet për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, është i mirëseardhur. Përfaqësuesi i lartë, Borrell është në kontakt të vazhdueshëm me liderët e rajonit dhe të vendeve anëtare të BE-së.” – tha ai.
Veç kësaj, Stano na e bëri të ditur se një ftesë për të diskutuar rreth Asociacionit iu dërgua dy palëve për datën 5 ose 6 qershor, por që i njëjti nuk mund të zhvillohej për shkak të tensioneve në veri.
“BE-ja është e gatshme që të organizojë takimin rreth draftit shpejt, dhe është në kontakt me të dyja palët.” – theksoi ai.
Kurti e Rama s’flasin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama ende nuk kanë diskutuar në lidhje me vendimin e këtij të dytit, që ta dorëzojë një draft-statut rreth Asociacionit.
Rama në një intervistë për Nacionalen, të premten tha se ky është kontribut i Shqipërisë si shtet tjetër.
“Jo. Unë dua të jem shumë fer dhe në raport me partnerët. Kjo nuk është një konspiracion i shqiptarëve që ne po e bëjmë bashkë dhe pastaj unë do e çoj. Ky është një kontributi i Shqipërisë si shtet tjetër. Ne jemi vëllezër, por kemi dy shtete të ndryshme. Shqipëria ka shtetin e vet, Kosova ka shtetit e vet.” – tha ai.
Ndërkohë, vlen të theksohet se Rama u kritikua nga deputetë e zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje rreth hapit që mori.
Deputeti Armend Muja e akuzoi se “është i kapur për krim e korrupsion”, duke deklaruar si vijon: “Fort i kapur diku për krim e korrupsion dueht të jetë Edi Rama gjersa detyroht t’ia bëjë këtë mënyrë vetes publikisht para gjithë kombit shqiptar”.
Një deputet tjetër, Adnan Rrustemi tentoi të ironizojë me këtë situatë duke përmendur edhe bashkëpartiaken “e fuqishme të tij”.
“Rama paska dërguar draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe te Scholzi dhe Macroni. Kot i dërgon në Berlin e Paris pa i dërguar njëherë te Dejona Mihali.” – tha ai.
Sipas shefes së grupit parlamentar të kësaj partie, “Kosova nuk ka nevojë për shpëtimtarë”.
“Ne kemi nevojë për pronësi dhe elaborim të parimeve me në fokus drejtimin e shtetit dhe të drejtat e komuniteteve në Kosovë, me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë.” – tha ajo.