Qeveria e Kosovës me vite të tëra ka shfrytëzuar ndërtesën e ish-ndërmarrjes shoqërore “Bankos”, që gjendet në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, për nevoja të veta pa pasur kontratë për shfrytëzimin e saj, duke mos paguar asgjë për këtë.
Kjo pronë, e cila është nën menaxhim të Agjencisë Kosovarë të Privatizimit (AKP), i ishte dhënë për shfrytëzim nga misioni i UNMIK-ut, i cili ka udhëhequr me këtë proces deri më shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, shkruan Koha Ditore.
Qeveria deri tani ka mbajtur pengë këtë aset të ndërmarrjes, duke penguar privatizimin e saj.
Tani, 16 vjet prej kur ka nisur procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, Ministria e Administratës Publike, e cila është përgjegjëse për akomodimin e institucioneve shtetërore, ka bërë të ditur se në koordinim me AKP-në janë duke punuar që të bëjnë një zgjidhje për çështjen e shfrytëzimit të hapësirave të pronave shoqërore nga institucionet shtetërore.