Dy 14-vjeçarë u arrestuan me 1 Korrik nga policia e Lezhës ndërsa një bashkëmoshatar i tyre u shpall në kërkim pas denoncimit të një pushueseje nga Kosova për vjedhjen e çantës.
Policia bëri të ditur në një njoftim për shtyp se të njëjtët minorenë dyshohen edhe për dy vepra të tjera penale të ndodhura gjatë javëve të fundit.
Ata dyshohen se më 21 qershor i kanë vjedhur një varëse floriri një gruaje banuese në Lezhë ndërsa më 26 qershor i kanë vjedhur një pushueseje tjetër nga Kosova 2 telefona celularë dhe 100 euro.
Njërit prej të miturve iu gjet një pistoletë sportive e markës Ekol me një karikator me nëntë fishekë, pistoletë që përdoret për të shkaktuar zhurmë.
Ndërkohë, disa pushues me të cilët foli BIRN, tregojnë se vjedhjet e vogla të kësaj natyre janë kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm në plazh. Sipas pushuesve, rastet janë të shumta kur u humbasin çantat apo sendet me vlerë gjatë qëndrimit në plazh apo kur gjejnë xhamat e makinave të thyera apo shtëpitë e plazhit të plaçkitura.
“Unë jam një pushues nga Kosova. Prej të paktën 5 vitesh frekuentoj plazhin e Shëngjinit, pasi më duket një vend i qetë dhe bregdet mjaft i bukur. Por vjedhjet këtu janë kthyer në një problem. Thuajse çdo ditë hajdutet këtu veprojnë në çdo ore të ditë, ndaj duhem të jemi vetë të kujdesshëm,” tha një qytetar nga Kosova, i cili nuk pranoi të komentojë me emër.
“Unë jam me pushime këtu në Shëngjin dhe tre net më parë me kanë thyer xhamin e vogël të makinës dhe më kanë marrë 100 euro që i kisha brenda. Nuk bëra denoncim se isha i bindur se nuk mund të gjeja gjë. Duhet që policia të veproje dhe të jetë më prezente kryesisht gjatë natës, pasi në atë kohë hajdutët veprojnë më shumë”, tha një pushues tjetër.
Zëdhënësja e Policisë së Lezhës Alda Prelaj i tha BIRN se policia është e informuar mbi problemin dhe se ka shtuar patrullimet në të gjithë zonën turistike ndërsa i bëri thirrje qytetarëve që të mos e lënë vjedhjen pa denoncuar po t’i drejtohen forcave të rendit.