Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se administrata e tij është duke e shqyrtuar një plan, për të lehtësuar procedurën e marrjes së shtetësisë ruse për të gjithë ukrainasit, dhe jo vetëm për qytetarët në lindje të Ukrainës.
Putin i bëri këto komente sot gjatë samitit për zhvillimin e infrastrukturës në Pekin.
Më 24 prill, Putini kishte shpallur një dekret presidencial që lehtëson procedurën e marrjes së shtetësisë ruse për të gjithë qytetarët që jetojnë në rajonet ukrainase të Donetsk dhe Lunask, rajone këto që janë nën kontrollin e separatistëve që mbështeten nga Rusia.
Ky dekret nxiti reagime nga Kievi, Shtetet e Bashkuara, Britania, Bashkimi Evropian dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), organizatë kjo që ka për detyrë të monitorojë nëse po zbatohet në lindje të Ukrainës, marrëveshja e Minskut e arritur më 2015.
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko tha se dekreti i Putinit “ka të bëjë me përgatitjet e Kremlinit për hapa të mëtejmë të agresionit ndaj shtetit tonë – aneksimit të Donbasit ose krijimit të një enklave ruse në Ukrainë”.
OSBE-ja tha se “besojmë se kjo masë e njëanshme mund të minojë përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje paqësore për krizën në Ukrainë”.
Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu kritikoi vendimin e Putinit, duke thënë se “përmes këtyre veprimeve provokuese po intensifikohen sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.