Presidenti rus, Vladimir Putin pritet të zhvillojë bisedime me liderët aziatikë këtë javë, në të cilat do të përfshihet edhe programi bërthamor i Koresë Veriore, në kohën kur Phenjani ka ndalur përpjekjet për të ulur tensionet me Uashingtonin.
Putin do të takohet me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, kryeministrin e Kinës, Xi Jinping dhe kryeministrin e Koresë Jugore, Lee Nak-yeon në qytetin lindor të Rusisë, Vladivostok, i cili është nikoqir i Forumit Ekonomik Lindor më 11-13 shtator.
Në takimin e tij më 10 shtator me kryeministrin Abe, Putin pritet të fokusohet në “rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar”, si dhe në këmbimin e pikëpamjeve për situatën në “Gadishullin Korean”, ka thënë ndihmësi i lartë për politike të Jashtme i Putinit, Yury Ushakov.
Abe në anën tjetër u ka thënë gazetarëve më 10 shtator se ai dhe Putin po ashtu do të diskutojnë edhe për një konflikt për Ishujt Kurile, territor të cilin të dyja shtetet e emërojnë ndryshe.
Një zyrtare e lartë e Dhomës së Lartë të Parlamentit të Rusisë ka njoftuar se në këtë forum është ftuar edhe lideri verikorean, Kim Jong Un, mirëpo se ai nuk do të jetë pjesë e këtij organizimi.
Takimi në Vladivostik vjen vetëm një javë para samitit të planifikuar në mes të dy Koreve, që pritet të organizohet më 18-20 shtator në Phenjan.
Uashingtoni ka shprehur zhgënjim për mungesë të përparimit në procesin e denuklearizimit nga ana e Koresë Veriore, ndonëse presidenti amerikan, Donald Trump ka përshëndetur vendimin e Phenjanit për të mos shfaqur raketat balistike ndërkontinentale në paradën e madhe ushtarake për nder të 70 vjetorit të shtetësisë, që kanë shënuar verikoreanët më 9 shtator.