Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka kërkuar nga Perëndimi që t’i ofrojë “menjëherë” garanci të sigurisë, teksa tensionet po rriten për shkak të grumbullimit masiv të trupave ruse në afërsi të kufirit të Ukrainës.
Duke folur në konferencën vjetore me gazetarë, Putini u përgjigj në pyetjet e gazetarëve lidhur me qëllimet e Rusisë, duke renditur një sërë ankesash për Ukrainën dhe Aleancën Veri-Atlantike (NATO).
Ai po ashtu foli edhe për një listë të kërkesave që zyrtarët rusë kanë publikuar më herët gjatë këtij muaji, përmes së cilave Rusia kërkon një ristrukturim të madh të sigurisë evropian dhe politikave të NATO-s.
“Ju duhet të na jepni garanci. Ju! Dhe pa asnjë vonesë! Tash!”, tha Putini duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.]
Megjithatë, gjatë përgjigjes në pyetjet e gazetarëve, Putini u duk sikur dha sinjale pozitive sa i përket bisedimeve që pritet të mbahen ndërmjet Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe me përfshirjen e mundshme dhe të aleatëve të tjerë perëndimorë.
SHBA-ja dhe zyrtarët rusë po tentojnë që takohen në Gjenevë, pas Vitit të Ri.
“Deri më tani kemi parë reagime pozitive. Partnerët tanë amerikanë na thanë se ata janë të gatshëm të nisin bisedimet në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Putin.
Kërkesat e Rusisë, që fillimisht janë publikuar më 17 dhjetor, bëjnë thirrje për ndalimin e zgjerimit të mëtejmë të NATO-s në lindje.
Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Kievi kanë ngritur alarmin, pasi Rusia ka grumbulluar rreth 100,000 trupa në afërsi të kufirit të Ukrainës dhe në Gadishullin e okupuar të Krimesë.
Zyrtarët amerikanë thonë se Moska ka të ngjarë që po planifikon një ofensivë ushtarake. Por, Rusia ka mohuar se ka plane të tilla.
Gjatë konferencës vjetore, Putini po ashtu përsëriti akuzat ndaj Ukrainës, duke thënë se Kievi po përgatit një ofensivë ushtarake në rajonet lindore të vendit, ku për shtatë vjet me radhë po luftojnë forcat ukrainase dhe separatistët e mbështetur nga Rusia.
“Tani ata po na thonë ne luftë, luftë, luftë. Duket se ata po përgatisin një ofensivë (në lindje të Ukrainës) dhe po na paralajmërojnë ne që të mos iu dalim në rrugë ose do të ketë sanksione”, tha Putini. Ai po ashtu akuzoi Perëndimin se ka krijuar sentiment anti-rus dhe ua ka “shpërlarë trurin qytetarëve”.
Konferenca vjetore është një prej tre ngjarjeve shumë mirë e orkestruar, që Putini mban e të cilat transmetohen në televizionin publik. Putini mban këtë konferencë pothuajse çdo vit, në përpjekje për të treguar dominimin rus në jetën politike.
Vitet e kaluara, këto konferenca kanë zgjatur mbi tri orë, ndërkaq konferencën më të gjatë, Putini e mbajti vitin e kaluar, plot katër orë e gjysmë transmeton rel.
Për shkak të kufizimeve të pandemisë, gazetarët që morën pjesë në këtë ngjarje u deshën që të dërgoni tri teste negative për koronavirus, në mënyrë që ta përcillnin konferencën nga afër.