Putin pas telefonatës me Biden: Mbrojtëm interesat e vendit tonë

Prishtinë | 02 Jan 2022 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin duke komentuar telefonatën me homologun amerikan Joe Biden, u shpreh se kishte mbrojtur me këmbëngulje interesat e vendit.

Putin theksoi se nëse SHBA do të ndërmerrte sanksione të reja ndaj Rusisë, do të prishte përgjithmonë marrëdhëniet mes dy vendeve

Në fjalimin e tij të fundvitit, presidenti rus Vladimir Putin foli sërish për Ukrainën, pas telefonatës me presidentin amerikan Joe Biden.

Biseda u përqendrua në takimin e ardhshëm në shkurt ku dy vendet do të diskutojnë për kërkesën e Moskës për të pasur më shumë garanci sigurie nga ana e perëndimit dhe NATO-s në kufijtë lindorë të Europës. Një kërkesë e cila vjen në një moment që Kremlini ka shtuar praninë e trupave ruse pranë Ukrainës.

Biden përsëriti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione të reja kundër Rusisë nëse do të ketë përshkallëzim tensionesh apo pushtim. Një kërcënim ndaj të cilit Putin u përgjigj duke paralajmëruar Uashingtonin se një gjë e tillë do të shkaktonte një prishje të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Presidenti rus theksoi se kishte mbrojtur me këmbëngulje interesat kombëtarë, sigurinë e vendit dhe qytetarët e tij. Por Putin foli dhe për COVID duke shtuar se ishin përballur me sfida kolosale duke mësuar të jetojnë në kushte të vështira dhe të zgjidhin situata të komplikuara falë solidaritetit.

Task force shtetërore ruse për koronavirus regjistroi një total prej 10.5 milion infektimesh të konfirmuara dhe më shumë se 308 mijë viktima. Por agjencia shtetërore për statistikat që përdor kriterë më të gjerë në sistemin e tij të numërimit, pretendon se viktimat si pasojë e COVID që nga fillimi i pandemisë janë më shumë se 626 mijë. Vetëm 51% e rusëve janë plotësisht të vaksinuar dhe qeveria po përpiqet të përshpejtojë fushatën e vaksinimit.

Putin 69 vjec është në pushtet prej më shumë se dy dekadash – më gjatë se çdo lider tjetër i Kremlinit që nga koha e diktatorit sovjetik Jozef Stalin. 

Të ngjashme