Rusët do të mund të votojnë në mënyre elektronike apo me anë të postës për zgjedhjet lokale dhe kombëtare si dhe për referendume, raporton Al Jazeera.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka aprovuar ndryshimet në ligjin elektoral të shtetit, duke lejuar që rusët të votojnë në mënyrë elektronike apo me postë në zgjedhjet e ardhshme, sipas Kremlinit.
Kundërshtuesit e këtij ndryshimi thonë se një sistem elektronik do të mund të manipulohet më lehtë, dhe do ta bëjë më të vështirë që të hetohen parregullsitë nga vëzhguesit e pavarur.
Ata thonë gjithashtu se ndryshimet po ndodhin në kohën kur kufizimet e koronavirusit e bëjnë të pamundur shprehjen e kundërshtimit me anë të protestave, transmeton KOHA.
Softueri i ri për votim elektronik do të jetë i gatshëm për tërë shtetin dhe mund të përdoret për zgjedhje lokale dhe kombëtare si dhe për referendume.
Sidoqoftë, nuk është e qartë nëse sistemi i ri do të jetë i gatshëm për referendumin e Kushtetutës, i cili do t’i hapë rrugën Putinit që të shërbejë edhe dy mandate presidenciale përtej viti 2024, duke e mbajtur në fuqi gjer në vitin 2036.
Referendumi do të mbahej në mes të prillit, por u anulua për shkak të pandemisë.
Sipas mediave ruse, data e re do të jetë 24 qershori.
Përkrahësit e këtij sistemi të ri thonë se kjo do të ndihmon në ndaljen e koronavirusit, sipas agjencisë së lajmeve TASS, ngase nuk do të duhen të shkojnë tek vendvotimet.