Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të enjten se Perëndimi nuk po i merr mjaftueshëm seriozisht paralajmërimet e Rusisë për “vijat e kuqe” dhe se Moska ka nevojë që të sigurojë garanci serioze të sigurisë nga Perëndimi.
Gjatë një fjalimi para zyrtarëve për politikë të jashtme në Moskë, presidenti rus tha se bisedimet për ta zgjidhur konfliktin në lindje të Ukrainës janë duke shkuar drejt një “fundi të vdekur” dhe e akuzoi Perëndimin se po e përdor krizën me emigrantë në Bjellorusi kundër aleatit të Moskës, Minskut.
Ai tha se NATO-ja, me të cilën Rusia i ndërpreu raportet muajin e kaluar, i ka shkatërruar të gjithë mekanizmat për dialog, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Ndryshe, Ukraina dhe vendet perëndimore kanë shprehur shqetësim për lëvizjet e forcave ruse afër kufirit ukrainas. Në anën tjetër, Rusia është ankuar se NATO-ja e ka shtuar praninë ushtarake në rajonin e Detit të Zi.
Raportet mes Perëndimit dhe Rusisë së fundi janë ashpërsuar edhe për shkak të krizës me emigrantë në kufirin mes Bjellorusisë e Polonisë. Polonia ka thënë se prapa kësaj krize qëndron pikërisht Rusia.