Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, bisedoi me kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, për programin bërthamor të Koresë së Veriut dhe çështje të tjera.
Pas takimit në qytetin rus, Vladivostok, Putin tha se ata kanë shkëmbyer pikëpamje për “çështje të rëndësishme ndërkombëtare” dhe se Moska dhe Tokio “do t’i vazhdojnë kontaktet e ngushta për të nxitur dialogun ndër-korean”.
Abe arriti në Vladivostok përpara një forumi ekonomik, nikoqire e të cilit është Rusia, nga data 11 deri më 13 shtator.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe kryeministri i Koresë së Jugut, Lee Nak-yeon, do të ndjekin forumin dhe do të takohen po ashtu me Putinin këtë javë.
Takimet në Vladivostok vijnë një javë para samitit të planifikuar midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, më 18-20 shtator, në Phenjan.
Uashingtoni ka shprehur zhgënjim me mungesën e përparimit të Phenjanit drejt denuklearizimit, edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump, e ka lavdëruar Korenë e Veriut për mosshfaqjen e raketave të saj balistike ndërkontinentale në një paradë masive ushtarake të organizuar më 9 shtator.
Valentina Matviyenko, kryetare e Dhomës së Lartë të Parlamentit të Rusisë, tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është ftuar në Forumin Ekonomik Lindor të kësaj jave në Vladivostok, porse nuk do të marrë pjesë.