EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me Klubin e Ambientit “Luciano Motroni” ka organizuar tryezën e diskutimit “Gjendja e pyjeve dhe problemi i shpyllëzimit”.
Kjo tryezë është organizuar me qëllim që të prezantojë gjendjen ekzistuese të pyjeve dhe të trajtojë problematikën e dëmtimit të pyjeve përmes formave të ndryshme. Në këtë diskutim është prezantuar gjendja aktuale e pyjeve, efekti zingjiror që shkakton shpyllëzimi, trajtimi që ofrohet nga ligji për këtë çështje dhe situata në Parkun Kombëtar të Sharrit. Panelistë të këtij debati ishin Izet Osmanaj nga Drejtoria e Bujqësisë, Alban Hyseni – Ekolog dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, dhe Bekim Bytyqi nga D.A.P.K Sharri.
Osmanaj njoftoi të pranishmit mbi sfidat që ky institucion has në monitorimin e vazhdueshëm të pyjeve të rajonit të Prizrenit, aksionet e pyllëzimit, fletëparaqitjeve që bëhën ndaj prerësve ilegal si dhe bashkëpunimin që këta të fundit kanë më institucionet e rendit dhe drejtësisë.
Në anën tjetër profesori nga Universiteti i Prishtinës, Alban Hysenaj foli mbi pasojat e shpyllëzimit, prishjen e balancit ekologjik, shkatërrimit të habitateve, prishjes së zingjirit ushqimor, ndryshim të ciklit ujor e kështu me radhë. Nga ky u fundit u potencua që tematika e mbrojtjes së ambientit duhet të futet si lëndë obligative në kurrikulën shkollore pasi që mënyra më e mirë e luftimit të këtyre fenomeneve të dëmshme ndaj natyrës është vetëdijesimi kolektiv.
Përfaqësuesi i DAPK Sharri dha informata mbi gjendjen aktuale në këtë park nacional, duke informuar të pranishmit mbi veçoritë dhe vlerat e biodiversitetit në këtë zonë. Poashtu në kuadër të këtij prezantimi u elaborua edhe pjesa e legjislacionit që rregullon menaxhimin e PK Sharrit.
U potencua që pyjet tona po rrezikohen vazhdimisht nga prerjet ilegale dhe zjarrëvëniet e qëllimshme, të cilat janë duke shkaktuar dëme afatgjata.
Ky aktivitet është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).