Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, gjatë intervistës dhënë për Telegrafin tha se janë arrestuar një numër mjaft i madh i zyrtarëve të profileve të ndryshme për keqpërdorim të autoritetit.
Qalaj tha se drejtoria për Krime Ekonomike që nga shtatori i vitit të kaluar ka bërë një punë të mrekullueshme në fushën e krimeve ekonomike, financiare dhe korrupsionit.
“Jeni dëshmitarë që janë arrestuar një numër mjaft i madh i zyrtarëve të profileve të ndryshme, për keqpërdorim të autoritetit. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer edhe më Agjencinë për Kundër Korrupsion, të cilët kanë një rol shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, etj. Lufta Kundër Korrupsionit ka vazhduar dhe mendoj që duhet të vazhdojë edhe më shumë. Është koha kur Kosova me të gjitha mekanizmat e saj të angazhohet maksimalisht që të jemi një vend me më pak korrupsion dhe krim të organizuar”.
Qalaj po ashtu foli edhe për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, ku theksoi se ka qenë një zhgënjim mjaft i madh pasi vendimi në Interpol ka qenë politik ose gjeopolitik.
“Mos anëtarësimi i Kosovës në Interpol ka qenë një zhgënjim mjaft i madh. Kosova dhe Policia e Kosovës është shumë më e zhvilluar në raport me disa shtete tjera. Interpoli ka pasur një vendim politik ose gjeopolitik, mirëpo ne kurrë nuk do të ndërpresim aktivitetin tonë që të jemi në shërbim të Interpolit. Është dëm i madh që nuk jemi pjesë e Interpolit, është dëm edhe për Interpolin, meqenëse ka mbetur një hapësirë e zbrazët edhe pse ne në mënyrë indirekte bashkëpunojmë”, u shpreh ai.
Qalaj po ashtu tregoi se kanë filluar një bashkëpunim shumë të madh me shtetet në rajon si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia.
“Me Shqipërinë në baza ditore shkëmbejmë informata. Me Maqedoninë kemi pasur stërvitje dhe do të kemi në të ardhmen. Në ushtrimin e dytë që do të mbahet në Shqipëri, jemi duke punuar shumë që pjesë e ushtrimeve të jetë edhe policia malazeze, ndërsa pala maqedonase është duke diskutuar me palën greke që edhe ata t’i bashkohen bashkëpunimit tonë policor. Kështu që bashkëpunimi është i nevojshëm dhe do të jetë edhe më i nevojshëm në të ardhmen sepse sot vetëm bashkërisht mund të korrim suksese në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar”, tha tutje drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.