Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë se kandidati për kryetar të kësaj partie është Bedri Hamza, por thekson se edhe Enver Hoxhaj gëzon respektin e tij, raporton Ekonomia Online.
Derisa pritet të mbahet Konventa e kësaj partie për të zgjedhur edhe kryetarin e ri, Qalaj tha se do të jenë përkrahës të cilitdo që bëhet kryetar, duke shtuar se shpresojnë që PDK do të jetë shumë më e fortë.
“Është më rëndësi të zgjidhet kryetari dhe pastaj kryetari sigurisht që do të dalë në publik me planet dhe objektivat e tij. Ne do të jemi përkrahës të mëdhenj të gjithë atyre propozimeve që bën kryetari. Shpresoj që PDK do të jetë shumë më e fortë, shumë më e konsoliduar dhe gjithë së bashku do të kemi rezultat shumë më të mira në zgjedhjet e ardhshme”, tha Qalaj.
Ai tha se Hamaza është nëjri nga kandidatët më të suksesshëm të PDK-së.
“Konsideroj që Hamza është për momentin dhe do të jetë njëri nga kandidatët më të suksesshëm të PDK-së. Respekt edhe për Hoxhajn edhe për të tjerët, se kushdo që të zgjidhet kryetar sot do të jetë kryetari im”, nënvizoi ai.

Më 12 nëntor në një konferencë për media, Memli Krasniqi kumtoi lajmin se ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i këtij subjekti politik.
“Sot, pas shumë kohe reflektimi, ka ardhur momenti i duhur, prandaj sot kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë. Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim i gjatë i imi mbi atë se çfarë i duhet më shumë partisë në fazën e ardhshme’, tha Krasniqi në konferencën për media.
Ai tha edhe preferencën e tij, ndonëse tentoi të tregohej i rezervuar kur u pyet për emrin e ri në këtë pozitë.