Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka deklaruar se qëndrimi i partisë vazhdon të jetë ai i të vepruarit në opozitë.
Qalaj, në një intervistë për Ekonomia Online, u shpreh se nuk kanë ndonjë ndryshim rreth qëndrimeve për çështjen e presidentit.
“Nuk është çështja e të lëshuarit pe, ne jemi deklaruar se do të qëndrojmë në opozitë dhe do të veprojmë si parti opozitare. Ky është qëndrimi i kryetarit të partisë, ky është qëndrimi i kryesisë së partisë dhe mendoj që ky qëndrim duhet të vazhdojë ende”, tha Qalaj.
I pyetur nëse PDK-ja do të qëndrojë në sallë në rast se propozohet për president/e ndonjë emër nga LDK-ja apo Aleanca, Qalaj u shpreh se ky vendim merret në organet drejtuese të PDK-së.
“Për këtë qëllim duhet të merren vendime në organet drejtuese të partisë. Ende s’kemi qëndrim të tillë, besoj që me kohë do të njoftohet opinioni”, tha Qalaj për Ekonomia Online.
Duke folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, Qalaj tha se ato janë të panevojshme dhe, sipas tij, sjellin edhe pasoja.
“Zgjedhjet, përveç që janë të panevojshme, janë të dëmshme, mirëpo shumë më e dëmshme është qeveria aktuale dhe kryeministri, se si po qeverisin me vendin”, tha ai.
