Avokati i popullit ka publikuar Raportin me rekomandime lidhur me vizitën e mekanizmit kombëtarë për parandalim të torturës në Institutin e Psikiatrisë Forenzike. Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media nga ky institucion.
Raporti i referohet vizitës së Mekanizmit kombëtarë për parandalim të torturës (MKPT) më 16 maj 2018 në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK). Gjatë vizitës, personeli i Institutit të Psikiatrisë Forenzike (në tekstin e mëtejmë IPFK) dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës (në tekstin e mëtejmë SHKK) i ofroi ekipit monitorues të Mekanizmit kombëtar për parandalim të torturës (MKPT) bashkëpunim të plotë. Ekipi pa vonesa pati qasje në të gjitha vendet e vizituara, i u siguruan të gjitha informatat e nevojshme për të kryer detyrën dhe iu mundësuan intervistat me pacientët pa prezencë të zyrtarëve korrektues dhe personelit të IPFK.
Gjatë vizitës në këtë institucion, u vërejt një raport pozitivë dhe qasje e afërt nga ana e stafit ndaj pacientëve. MKPT nuk ka pranuar ankesa për ndonjë formë të keqtrajtimit fizik.
Kushtet materiale në IPFK në përgjithësi janë të mira, dhomat janë me nga dy shtretër, kanë qasje në dritë natyrale, ventilim, alarm, kanë mjetet higjienike dhe pajisje përcjellëse. Po ashtu ka hapësirë për qëndrimin ditorë të pajisur me karrige, televizion, lojëra (shahu) si dhe hapësirë të përshtatshme për kuzhinë. MKPT ka vërejtur se banjot janë të vendosura në dhoma, por nuk kanë perde e cila do t’u garantonte pacientëve privatësi. MKPT konsideron se në një situatë të tillë shkelet privatësia e pacientit dhe se IPFK duhet të marrë në konsideratë çështjet e privatësisë së pacientëve në mjediset e tualetit në dhoma.
Gjatë vizitës, MKPT ka vërejtur se furnizimi me barëra nuk është i mirë, familjarët shpesh detyrohen t’i blejnë ato. Në rastet e përdorimit të Clozapinës nuk ka dëshmi se është bërë matja e qelizave të bardha të gjakut sipas rekomandimeve të bazuara në evidenca. MKPT konsideron se autoritetet kompetente janë të obliguara të garantojnë furnizimin e rregullt të IPFK me barëra. Po ashtu, është përgjegjësi e institucionit dhënia e medikamenteve të caktuara sipas evidencave të njohura por edhe aplikimi i monitorimit të efekteve anësore të tyre të mundshme sipas praktikave të pranuara klinike (analizat përcjellëse tek aplikimi i Clozapinës).
Gjatë vizitës, MKPT ka vërejtur se IPFK nuk ka ndonjë plan parandalues specifik të vetëvrasjeve. MKPT konsideron se përkundër faktit se nuk ka pasur raste të vetëvrasjeve është e nevojshme të hartohet një udhërrëfyes i qartë i cili efektivisht do të ndihmojë në identifikimin e rasteve me tendenca suicidale dhe hartimin e një skeme observimi të veçantë me mbështetjen imediate psikologjike/psikiatrike.
MKPT, përkundër konstatimit të ekzistimit të disa aktiviteteve psiko-sociale, shpreh brengosjen se ato janë të zbehta dhe rutinore. Siç theksohet edhe në raportin e Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës për Vizitën në Kosovë në vitin 2015, në IPFK nuk ka një plan të individualizuar të trajtimit me përfshirje të pacientit, nuk ka një përfshirje në një rang më optimal të aktiviteteve terapeutike, rehabilituese dhe rekreacionale.
MKPT ka vërejtur se në IPFK përdorimi i dhomave të izolimit është i tepruar dhe me kohëzgjatje që nuk mund të arsyetohet. Komiteti Evropian për Parandalim të Torturës qartazi mban qëndrimin se nuk lejohet përdorimi i izolimit si ndëshkim dhe as për vetëmbrojtje nuk është i pranueshëm. Përdorimi i izolimit duhet të jetë sa më i shkurtër dhe më i arsyeshëm. MKPT ka vërejtur se IPFK ka një udhërrëfyes bazik për vendosjen në dhoma të izolimit (Rregullat e organizimit dhe të funksionimit të punës në repartin B). Ky dokument është shumë i thjeshtë dhe përmban vetëm një paragrafë. Nuk ka udhërrëfyes për metodat e tjera të kufizimit. MKPT vëren se KPT në raportin për vizitën në Kosovë në vitin 2015 në pjesën për vizitën në IPFK ka dhënë rekomandime konkrete se çka duhet të përmbajë ky udhërrëfyes.
Sa i përket të drejtës për trajtim, MKPT evidentoi se në të shumtën e rasteve iu jepet një informacion pacientëve, pa ju dhënë mundësinë e dhënies së pëlqimit me shkrim apo të drejtës për refuzim të trajtimit. E njëjta situatë është konstatuar edhe në raportin e Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës për vizitën në Kosovë në vitin 2015.
Po ashtu, MKPT ka vërejtur se nuk ka evidenca se është ofruar shpjegimi me shkrim për arsyet e trajtimit të pavullnetshëm ashtu siç parashihet në nenin 21 paragrafi 1.4 të Ligjit për Shëndetin Mendor i cili shprehimisht përcakton se pacientit të trajtuar pa vullnetin e tij/saj, ndër të tjera, duhet t’i shpjegohen me shkrim brenda 48 orëve arsyet e trajtimit të pavullnetshëm. MKPT rekomandon që kjo situatë duhet të rregullohet në mënyrë urgjente nga ana e institucionit.
Sa i përket të drejtës së pacientit për të parashtruar ankesë, MKPT ka vërejtur se në IPFK është instaluar një kuti e ankesave të cilën e hap një autoritet i caktuar brenda Ministrisë së Shëndetësisë. Megjithatë, MKPT konsideron se pacientëve po ashtu duhet t’u mundësohet parashtrimi i anekses pranë menaxhmentit të IPFK në mënyrë konfidenciale duke instaluar një kuti të ankesave të cilën do të mund ta hapnin vetëm personeli i caktuar nga menaxhmenti i IPFK.
Përmes këtij raporti MKPT e Avokatit të Popullit u ka rekomanduar institucioneve kompetente si në vijim: që Ministria e Shëndetësisë të njoftoj MKPT e Avokatit të Popullit lidhur me çështjen e statusit ligjor të IPFK, të furnizohet IPFK rregullisht me barëra dhe gjëra tjera të nevojshme për kryerjen e punës, të zbatohen rekomandimet e Komitetit Evropian për Parandalim të Torturës sa i përket përmbajtjes së Udhërrëfyesit për përdorim të mjeteve të kufizimit, të shtohen aktivitetet psiko-sociale; të instalohet në IPFK sistemi (një kuti ankesash) i cili u mundëson pacientëve që menaxhmentit t’ia drejtojnë ankesat e tyre në mënyrë konfidenciale dhe në këtë kuti ankesash të ketë qasje vetëm personeli i caktuar, personeli mjekësor të mos kryej detyra të sigurisë, personeli i sigurisë të përzgjidhen me kujdes dhe t’u nënshtrohen trajnimeve adekuate para se të marrin përsipër detyrat e tilla të sigurisë.