Disa rrogëtarë të partisë së Berishës dhe familjarë të tyre, u mblodhën sot poshtë ballkonit të shtëpisë së tij në përpjekje për të nisur një ritual mbështetje për udhëheqësin e burgosur me arrest shtëpie. Lokali para të cilit qëndronin për koincidencë quhet “Lost”, por Argita, vajza e kryetarit në detyrë që ka një komunikim me Zotin, u tha se Zoti ka bërë gati gjëra të mira për ta këtë vit.
-A do fitojmë i tha një grua e pasigurt në zërin e saj.
-Patjetër do fitojmë, i tha Argita. Pas kësaj turma që i mbante sytë nga qielli pa se në ballkon u shfaq udhëheqësi i tyre. Pasi mbajtën një copë herë kokën lart për të parë udhëheqësin e tyre, u larguan. Kur dy vite më parë, Berisha nisi betejën kundër Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës, teza e tij kryesore ishte se Basha kishte deformuar demokracinë në parti dhe e kishte bërë atë parti të një klani njerëzish që lidheshin me të, ose familjarë të tij.
Edhe pse në fakt, gjithçka në PD deri atë ditë e kishte drejtuar vetë Berisha, për shumë njerëz të pakënaqur nga Lulzim Basha, për arsyet e tyre dhe dobësitë e tij, kjo kauzë ngjiste. Nuk është se besonin vërtet që tani do bëhej një Parti Demokratike, por besonin se me një liderdship të ri ndoshta do tu vinte radha. Pas një betejë dyvjeçare, Sali Berisha arriti ta dërrmojë PD dhe opozitën në tërësi duke krijuar deri tani 5 fraksione opozitare, të cilat nuk kanë më fuqi të verifikojnë as veten dhe as të bashkohen për një opozitë normale, pasi Berisha vazhdon të jetë shkaku i ndarjes së opozitës.
Dhe ndërsa opozita ka nevojë të bashkohet në një betejë kundër Edi Ramës, Sali Berisha kërkon t’i “bashkojë” ata në një betejë pro tij, kundër drejtësisë, SHBA dhe BE, çka e shton dhe më shumë pesimizmin dhe ndarjen e opozitës. Sot, si për tu treguar atyre se sa hipokritë ishte beteja e tij për të përçarë PD, dhe cila do të jetë e ardhmja e opozitës, u nxori atyre rrogëtarëve të fundit që i kanë mbetur në seli, Argitën që ti përshëndeste dhe tu jepte zemër për vazhdimin e betejës.
Praktikisht ajo është “martirja” e betejës në drejtësi’, se drejtësia i ka marrë burrin, babain dhe rrezikon t’i marrë dhe vëllain. Është pak a shumë si “Aisha”, vajza e Gadafit që në fund u detyrua të hipte vetë mbi tank para se të arratisej në Algjeri.
Por ndryshe nga ajo, kjo nuk ka ku shkon. Kjo do të dalë çdo ditë të përshëndesë ritualin e rrogëtarëve të babait të saj që qajnë poshtë dritares, jo aq për tu dhënë shpresë, por që mbi të gjitha ta dinë përse po luftojnë. Që nesër të mos thonë, nuk e dinim që po bënim betejë për Argitën dhe kullat e saj.