Lipjan, është dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lënda ndaj të zyrtarit policor A.A, i akuzuar se kishte ngacmuar të dëmtuarën R.R, ku përmes mesazheve, i kishte shkruar “qele telefonin për të fundit herë po ta them, se ma keq ta qet”. I akuzuari dhe e dëmtuara, deklaruan dhe janë pajtuar dhe se tani jetojnë bashkë.
Në seancën e së mërkurës, fillimisht, pasi aktakuza u lexua nga prokurori Besnik Jakupi, i akuzuari A.A, deklaroi se e ndjen veten fajtor, që ka gabuar dhe se ato momente kanë qenë të çastit për shkak të lidhjes që ka pasur me të dëmtuarën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, ka thënë se pasi me të dëmtuarën tani ka shoqëri të mirë dhe e njëjta shpreh gatishmëri që të pajtohet me të, i njëjti e luti gjykatën që çështja të dërgohet në procedurën e ndërmjetësimit, pasi për të njëjten ekziston baza ligjore.
Ndërsa, e dëmtuara R.R deklaroi se ata jetojnë bashkë dhe kanë raporte të mira të përbashkta, përkundër atyre mosmarrëveshjeve që kanë pasur, i kanë tejkaluar dhe pajtohet me propozimin e të akuzuarit që çështja të dërgohet në procedurën e ndërmjetsimit, pasi që ajo nuk i bashkëngjitet ndjekjës penale dhe as nuk kërkoi kërkesë pasurore-juridike.
Lidhur me këtë, prokurori Jakupi tha se meqenëse palët ndërgjyqëse, i akuzuari me të dëmtuarën kanë propozuar dërgimin e rastit në procedurën e ndërmjetsimit dhe pasi janë plotësuar kushtet sipas ligjit për ndërmjetësim, pajtohet për dërgimin e rastit në procedurën e lartcekur.
Përmes aktvendimit, gjykatësi Avdirrahman Gashi e aprovoi propozimin e palëve, ashtu që seanca u ndërpre dhe rasti u referua në procedurën e ndërmjetësimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 24 nëntor 2021, i pandehuri A.A, në periudhën kohore prej nëntë muajve e deri më 4 korrik 2021 me qëllim të ngacmimit, ishte përfshirë në sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme, ndaj të dëmtuarës R.R.
Sipas aktakuzës, të dëmtuarën me të cilën ka qenë në lidhje dashurie, e ka keqtrajtuar duke ushtruar dhunë fizike dhe duke i thënë “nëse nuk e hapë telefonin e harron Lipjanin po e din ti çka” dhe po ashtu fjalët si “punë kurrë në Lipjan ma ti nëse nuk e hap telefonin tani që të thirri”, si dhe “qele telefonin për të fundit herë po të them se ma keq ta qet”, me çka tek e dëmtuara ka shkaktuar ka shkaktuar shqetësim dhe lëndim të madh emocional.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ngacmimi” nga neni 182, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 4, të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Shenim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë