Dy vjet më parë e ka humbur të birin e vetëm 19-vjeçar nga përdorimi i substancave narkotike.
Amanetin për ta hapur një Qendër Këshilluese për parandalimin e drogave nga të rinjtë tashmë e ka bërë realitet.
Psikologia dhe infermierja, Arjeta Musliu, nga Ferizaj, prej katër muajsh e ka hapur Qendrën Këshilluese “Këshillimi”.
Në të pa pagesë trajtohen të rinjtë dhe të rejat me synimin për t`u rehabilituar nga përdorimi i substancave narkotike. Kjo qendër në mënyrë vullnetare aktualisht po trajton mbi 170 përdorues të drogave, ndërkohë janë duke u vërejtur edhe rezultatet pozitive duke u bazuar në analizat e gjakut të përdoruesve të drogave, shkruan Koha Ditore.
Kësaj qendre në mënyrë vullnetare u janë bashkuar edhe një psikiatër, një psikoterapeuist nga Shkupi, pastaj është kompletuar edhe me asistentë, menaxherë e kontabilistë.
Paga personale për Qendrën këshilluese
Drejtoresha e kësaj qendre, Arjeta Musliu, nga buxheti vetjak ka sakrifikuar pagën e saj si infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjre për të investuar në hapjen e kësaj qendre.
“Me shumë vonesë e kemi kuptuar që djali ynë po përdorte droga të rënda, ndërkohë disa vjet jemi munduar ta trajtojmë nëpër spitale dhe nëpër mjekë, por nuk arritëm. Kërkesa e tij gjithmonë ka qenë që unë si nënë dhe si psikologe ta hapi një qendër të tillë për t’i trajtuar të rinjtë dhe të rejat që vuajnë nga përdorimi i drogave. Ky ishte si lloj “Amaneti” nga ish-djali im i vetëm”, nis rrëfimin Musliu.
Ajo pak ditë më parë është nderuar edhe me çmimin “personaliteti i vitit” që është votuar nga publiku për një kontribut të veçantë për shoqërinë dhe qytetin e Ferizajt. Për të funksionuar kjo qendër, Musliu tashmë ka marrë mbështetje morale nga të gjitha institucionet lokale dhe qendrore, por jo edhe mbështetje financiare. Musliu tregon se e gjithë pagën e vet si infermier në QKMF të Ferizajt, e shpenzon në këtë qendër duke i trajtuar të rinjtë për t’i larguar nga përdorimi i narkotikëve.