Qendra e Studentëve të Universitetit të Prishtinës është e gatshme për t’u shndërruar në karantinë.
Ndonëse nuk ka ndonjë vendim zyrtar nga Qeveria, gjegjësisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, drejtori i kësaj Qendre, Fatmir Sfishta, tha për Ekonomia Online se konviktet dhe të gjitha hapësirat e qendrës janë pastruar, dezinfektuar dhe gjithçka është gati.
“Nuk kemi asgjë zyrtare, asgjë të shkruar për një vendim të tillë, mirëpo ka disa ditë që jemi kontaktuar nga organet gjegjëse që t’i shohin mundësitë e Qendrës për ndonjë mundësi të tillë për atë që thoni ju, por ende nuk ka asgjë zyrtare”, tha drejtori Sfishta, për EO.
I pyetur nëse edhe Mensa do të jetë funksionale ai nuk ka ndonjë përgjigje sepse nuk ka vendim zyrtar.
“Nuk është bërë një planifikim për atë çështje sepse nuk ka ndonjë vendim zyrtar. Ne i kemi pastruar të gjitha hapësirat e qendrës. Ne i kemi përgatitur për studentë mirëpo nëse një organ më i lartë se na vendosë që të vendoset dikush tjetër ne jemi të gatshëm. Nuk varet prej nesh nuk kam përgjigje as për konvikte as për mensë”, tha Sfishta.
Ai tha se brenda dy javësh Konviktet e Qendrës së Studentëve janë dezinfektuar dy herë.
“Për fat të mirë të kësaj situate studentët nuk kanë qenë këtu dhe e kemi pasur një hapësirë të mjaftueshme të bëhet një pastrim gjeneral. Pos kësaj kemi bërë një dezinfektim shtesë. Sepse para dy javë e kemi bërë kur filloi pandemia. Studentët kur kanë dalë kanë dalë me nguti, kanë lënë shumë mbeturina shumë gjësende të tyre dhe QS, është e gatshme sikur në tetor kur i presin studentët”, shtoi ai.
Sfishta ka bërë me dije se stafi nuk është duke punuar.
“Jo është i reduktuar stafi, punon vetëm stafi esencial”, tha ai.