Qendra Trajnimeve në KEK fillimisht është themeluar vetëm për zhvillimin e kapaciteteve të korporatës, pra për nevojat e punëtorëve. Mirëpo me zhvillimin e kapaciteteve të Qendrës tani ofrohen trajnime për lëmi të ndryshme edhe për të gjithë kandidatët e interesuar të Kosovës.
“Trajnimi që ofron kjo Qendër mundëson që kandidatët të zhvillojnë pjesën praktike të elektrikes, pra kandidati mund ti prekë gjërat, ta sheh punën e tij dhe çdo karakteristikë të çdo elementi elektrik si funksionon” u shpreh trajneri Avdullah Mehmeti.
Ndërsa, udhëheqësi I Qendrës së Trajnimeve të KEK-ut, Safet Ymeri sqaroj procedurat për ata të cilët janë të interesuar për tu bërë pjesë e këtyre kurseve, pjesë e të cilave brenda vitit janë mesatarisht 1000 -1200 kandidat.
“Fillimisht bëhet kërkesa për trajnim, të cilën stafi menaxhues i Qendrës e analizon dhe i përgatit ofertë kërkuesit, dhe nëse pajtohen atëherë nënshkruhet kontrata për mbajtjen e trajnimit i cili zgjat 2 deri në 3 javë, varësisht prej moduleve sepse janë të shumëllojshme.
Pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit e që vlerësohet nga stafi menaxhues, kandidatët i nënshtrohen testit përfundimtar ku duhet të arrijnë kalueshmërinë në mënyrë që të pajisen me certifikatë e cila pastaj miratohet në autoritetin kombëtar të kualifikimeve. Për më tepër certifikatat pranohen edhe në nivel ndërkombëtar për shkak të bashkëpunimit të kësaj Qendre me organizata ndërkombëtare siç është kompania Amerikane HEVICERT, dhe bashkëpunimi me odën gjermane në Dortmund”, vazhdoj Ymeri.
Qendra e Trajnimeve në KEK, pavarësisht se ka një numër të konsiderueshëm të interesuarve, ka kapacitet për të pranuar edhe më shumë kandidat sepse është e vetmja në rajon të cilës i njihet certifikata edhe jashtë kufijve.