Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore ka mbajtur ngjarjen “Evidence Based Future” (E ardhmja e mbështetur në evidencë).
Psikologu Besnik Peci tha se organizata Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale është organizatë joqeveritare dhe se kjo qendër ka 80 anëtarë , 65 prej të cilëve janë vullnetarë, raporton Ekonomia Online.
“Synimi ynë është që të përmirësojmë kualitetin e shëndetit dhe edukimit në Kosovë, ngritjen e kualitetit të hulumtimeve në fushën e psikologjisë, sociologjisë dhe mjekësisë, të ofrojmë intervenime të bazuara në evidenca dhe të kontribuojmë për ndryshime pozitive në vendin tonë”, tha Peci.
Dardana Fetahu, studente e psikologjisë, tha se janë 257 adoleshentë nga Kosova të anketuar për përvojën e vullnetarizmit në aspektin e demokracisë, qytetarisë aktive dhe përgjegjësisë vullnetare. Të anketuarit kanë qenë nga 12-18 vjeç përmes pyetësorit online, i cili ka qenë i ndarë në 3 pjesë.
“Qëllimi i hulumtimit tonë është që ta adresojë mungesën e ndjeshme të të dhënave me vullnetarizmin në shtetin tonë dhe të identifikojë ndjenjat, arsyet dhe vetëvlerësimin që adoleshentët përjetojnë gjatë punës vullnetare, atyre që nuk kanë qenë të angazhuar në punë vullnetare kundrejt vullnetarizmit dhe të pasqyrojë qëndrimet e adoleshentëve në raport me vullnetarizmin”, tha Fetahu.
Ndërsa, Arlinda Gashi nga Qendra per Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, lidhur me hulumtimin e saj “Etiketat nuk janë për njerëz: Mësimdhënësit po ndikojnë negativisht në mirëqenien e nxënësve”, tha se feedback-u që marrim nga njerëzit tjerë ndikon në veten tonë me perceptimin që të tjerët kanë për ne e interanalizojmë dhe e kthejmë në perceptim për veten.
“Ky hulumtim ka për qëlim të identifikojë nivelin e etiketimeve ndaj nxënësve në Kosovë, të analizojë ndikimin që këto etiketime kanë në shëndetin e tyre psikologjik dhe të ofrojë rekomandime për adresimin e kësaj çështjeje”, shtoi Gashi.