Një 14-vjeçar mbijetoi i vetëm për thuajse 2 ditë në një zonë malore falë qenit Max. Ai e ka shoqëruar në çdo moment të aventurës së tij të pakëndshme.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë të thellë malore në Meksikë, ku Juan Heriberto Trevino, së bashku me një grup nga shkolla e tij ishte për një piknik. Gjatë shëtitjes ai rrëshqet dhe bie në një gropë të thellë dhe humb ndjenjat për pak kohë.
Sipas mediave të huaja, qeni Max ishte i vetmi që ndjeu mungesën e tij dhe duke shfrytëzuar nuhatjen e gjeti të riun dhe qëndroi me të deri në momentin e shpëtimit.
14-vjeçari ka rrëfyer se Max ka qëndruar me të në çdo moment. “E përqafoja që të ngrohesha në orët e ftohta të natës dhe gjatë ditës gjeti një burim uji ku pimë që të dy”, është shprehur ai.
Ndërkohë pas 44 orësh, i riu u gjet nga shërbimet e emergjencës. Ai u transportua menjëherë në spital për kontroll mjekësor, ndërsa autoritetet i njohën rolin kyç qenit Max për shpëtimin e Juan.