Qentë endacakë vazhdojnë të jenë një ndër problemet permanente me të cilin është përballur Prishtina, por edhe qytetet e tjera në Kosovë. Miliona euro janë shpenzuar nga qeveria dhe komunat e Kosovës për trajtimin e qenve endacakë, por pa ndonjë sukses.
Çdo natë, qytetarët që kalojnë nëpër oborrin e Universitet të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, përballen me qentë endacakë.
E rreziku nga numri i madh i qenve nëpër rrugë, u përmend edhe në një kabllogram të lëshuar nga Ambasada e Amerikës në Kosovë.
Mes tjerash u tha se “stafi i Ambasadës janë të rrezikuar nga sulmet e qenve endacakë, kur ata janë të uritur”.
Për kabllogramin e Ambasadës amerikane raportuan edhe mediat ndërkombëtare.
Për qentë endacakë që mund të takosh edhe në pjesë tjera të qytetit, nuk është bërë mjaft nga institucionet për trajtimin e tyre.
Nga viti 2017, trajtimin e qenve e ka bërë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), që kishte marrë 1.3 milion euro nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Ky institucion kishte vaksinuar dhe kastruar mijëra qenë endacakë në të gjithë territorin e Kosovës.
“Ky numër prej 14 mijë qenve, sigurisht që ka ndikuar në ulje të numrit, por ne kemi thënë që me mjetet e ndara, nuk do të kryhet si problematikë, ne do ta fillojmë një nismë të mirë, por duhet të jetë komunat ato që duhet ta vazhdojnë sepse ashtu është e përcaktuar me ligj”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i AUV-ut, Lamir Thaçi.
Sipas tij, komunat nuk kanë treguar gatishmëri për të kryer punën e tyre të përcaktuar me ligj.
Ligji për veterinarinë parasheh që komunat në pajtim me procedurat e vendosura nga Ministria e Bujqësisë, duhet të regjistrojnë qentë, të bëjnë vaksinimin vjetor kundër tërbimit, të kapin qentë dhe macet e rrugës nëse është e nevojshme, si dhe të themelojnë vende për përkujdesje për qentë dhe macet, sipas nevojës.
Në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Prishtinë, thonë se nuk janë ndalur asnjëherë me trajtimin e qenve, por problemi me qentë endacakë vazhdon të jetë i njëjtë, pasi nuk ka regjistrim të tyre.
Habib Qorri nga kjo drejtori, thotë se trajtimi i duhur i qenve nuk mund të bëhet me projekte në periudha të shkurta kohore, por duhet të zhvillohet një politikë në nivel vendi për të përmirësuar situatën.
“Kemi pasur raste edhe të kafshimit, edhe ndoshta edhe vetëm një rast nëse është, unë nuk them se është rast i vogël, ose është pak kjo. Synimi ynë është që asnjë qytetar të mos ndihet i rrezikuar sidomos prej qenve endacakë. Ne jemi duke e bërë atë që na lejon ligji dhe çka mundemi të bëjmë, në vazhdimësi. Prapë po them, derisa nuk trajtohet në përmasa më të gjera, problemin do ta kemi prapë”, thotë ai.
Elza Ramadani, drejtuese e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, thotë se institucionet në Kosovë, kanë dështuar të trajtohen në mënyrën e duhur qentë endacakë.
“Disa i shohim me vathë që i bie se janë të trajtuar, të kastruar dhe sterilizuar, për të parandaluar shumimin e tyre në rrugë, por disa edhe jo. Qytetarët nuk e dinë që këta qenë vijnë prej braktisjeve të shumta të njerëzve të papërgjegjshëm që mbajnë qenë edhe dikur e lirojnë qenin në rrugë. Po ashtu, prej arsyes që nuk kanë ku e dërgojnë, nuk ka strehimore në Kosovë, ku qytetari mundet ta dërgojë qenin e vetë, kështu që ata qenë përfundojnë në rrugë”, thotë Ramadani për REL.
Komuna e Prishtinës në fund të vitit 2020 ka nënshkruar kontratë me vlerë mbi 100 mijë eurove për ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacak në fshatin Hajvali të Prishtinës.
Vetëm gjatë vitit 2020, duke mos e llogaritur muajin dhjetor, sipas Policisë së Kosovës, janë raportuar 28 raste të sulmeve nga qentë endacakë.